Vrasja për një tas proshutë tek ‘Komuna e Parisit’/ Autori i dënuar më parë, ja çfarë ndodhi mes tyre...

Policia e Tiranës ka reaguar nëpërmjet një njoftimi zyrtar lidhur me vrasjen e ndodhur pasditen e djeshme në një lokal në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në Tiranë. Sipas policisë, autori i krimit të rëndë, Filip Shehu rezulton i dënuar më parë për mbajtje të armëve të ftohta, ndërsa ngjarja e djeshme ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes dy kolegëve.

Njoftimi i policisë:

Vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., në ambientet e lokalit në Komunën e Parisit, ku punonin të dy, arrestohet në flagrancë autori, i cili u kap nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas krimit.

I arrestuari, i dënuar më parë për posedim të armëve të ftohta.

Gjendet dhe sekuestrohet mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se u krye krimi.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e  Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.