Uragani 'Melisa' largohet nga Xhamajka dhe drejtohet drejt Kubës! Shikoni pamjet live! Evakuohen banorët
Uragani 'Melisa' ka lënë pas Xhamajkën dhe po i drejtohet Kubës, ku autoritetet janë në gatishmëri të plotë për përballjen me stuhinë.
Banorët e qytetit jugor kuban, Santiago de Cuba, kanë filluar evakuimin drejt zonave më të larta.
Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel deklaroi në një videomesazh në rrjetet sociale se, edhe pse cikloni pritet të shkaktojë dëme të mëdha, vendi ka burimet e nevojshme për t’u rimëkëmbur.
“E dimë që ky ciklon do të sjellë dëme të rënda, por do të kemi të gjitha burimet për t’u ngritur sërish,” – tha Díaz-Canel, duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të zhvendosen në zona të sigurta.
Ndërkohë, OKB-ja ka njoftuar se është gati të dërgojë ndihma dhe furnizime emergjente për të gjitha vendet e prekura nga uragani.
Ju mund të ndiqni live pamjet e uraganit.
Dëmet në Xhamajka
Pamje dramatike nga Xhamajka tregojnë efektet e para të uraganit Melissa, një prej stuhive më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë në Karaibe.
Videot e publikuara nga mediat lokale tregojnë erëra të forta në Kingston, në jug të vendit, si dhe pemë të përkulura e mbeturina që fluturojnë në Montego Bay, në veri të ishullit.
Edhe pse Melissa ka rënë në kategori 4, ajo vazhdon të paraqesë rrezik serioz për jetën dhe pronën, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes ekstrem dhe evakuime të mundshme në zonat bregdetare.