'Ujku Shigjetë' ushtria e Kosovës në veprim,
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas ushtrimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Ujku Shigjetë”, e ka quajtur këtë si një nga objektivat kryesore të planit zhvillimor për ushtrinë.
“Pra, me këtë ushtrim ne po përmbyllim një fazë dhe po kalojmë në një fazë tjetër. Kemi marrë masat dhe jemi duke u përgatitur për ta finalizuar. Me këtë rast falënderoj komandantin e FSK-së gjeneral Jasharin për punën e jashtëzakonshme dhe angazhimin e pashembullt për të arritur objektivat pavarësisht sfidat”, tha ai.
Sipas tij, sot është një ditë shumë e rëndësishme për ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës. “Sot po përmbyllim një prej objektivave kryesore të planit zhvillimor të Forcës së Sigurisë së Kosovës, atë të certifikimit dhe validimit të të gjitha kapaciteteve të këmbësorisë regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së”, tha ai.
Maqedonci ka potencuar edhe rolin e ekipeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Falënderojmë edhe ekipet nga SHBA-të të cilat kanë qenë vazhdimisht krah zhvillimit të FSK-së investimet e qeveria në mbrojtje në armatim personel trajnim dhe infrastrukturë janë një mbështetje shtesë për kapacitetet e FSK-së në arritjen e objektivave qe kemi përpara”, tha ai.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK është në një fazë tjetër për të cilën janë marrë masat dhe po bëhen përgatitjet për finalizim. Ai falënderoi dhe përgëzoi Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, për punën e jashtëzakonshme dhe angazhimin e pashembullt që të arrihen objektivat pavarësisht sfidave dhe vështirësive që ishin gjatë viteve.
Komandanti i FSK-së, përcjellë nga afër demonstrimet e ushtrimit
Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë duke përcjellur nga afër demonstrimet finale të përgatitura për DV-Day, ku me këtë rast Komanda e Forcës Tokësore ka brifuar për rrjedhën e ushtrimit.
Ndryshe sot po organizohet Dita e Vizitorëve në ushtrimin fushor “Ujku Shigjetë”, që Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e realizuar në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, në Komunën e Gjakovës.
Në Ditën e Vizitorëve të pranishëm do të jenë udhëheqës të lartë shtetëror, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndryshe Forca e Sigurisë së Kosovës përmes Regjimentit të Tretë të Komandës së Forcave Tokësore është duke zhvilluar ushtrimin fushor “Ujku Shigjetë”.
Ky ushtrim vjen pas një cikli të gjatë trajnimesh dhe përgatitjesh intensive në kuadër të procesit të validimit të regjimentit.
Gjatë këtij ushtrimi po testohen aftësitë dhe kapacitetet luftarake të njësisë në nivel taktik, me qëllim që të vlerësohet gatishmëria operacionale dhe përmbushja e standardeve të kërkuara për validim.
Përmes ushtrimeve të tilla, FSK vazhdon të demonstrojë përkushtimin ndaj ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në përputhje me standardet e forcave moderne të mbrojtjes.