Ana më personale e Bernie Ecclestone: si është të jesh baba i një vajze 70-vjeçare dhe i një djali pesëvjeçar
Bernie Ecclestone, ish-president i Formulës 1, po feston 95-vjetorin e lindjes. Me gjithë pasurinë e tij të jashtëzakonshme, britaniku ka vendosur ta kalojë ditën në qetësi, në fshatin zviceran Gstaad, së bashku me bashkëshorten Fabiana, 49 vjeçe, dhe djalin e tyre pesëvjeçar, Ace. Kështu ka treguar vetë në një intervistë ekskluzive për median gjermane ‘BILD’.
Çifti, që ndan kohën mes Zvicrës dhe Brazilit, thotë se prej disa vitesh është përqendruar plotësisht te jeta familjare dhe edukimi i djalit të vogël.
“Ace është një djalë i mrekullueshëm,” – tha Ecclestone. – “Është i zgjuar, kureshtar dhe interesohet për gjithçka.”
Pavarësisht diferencës së madhe të moshës në familje, Fabiana thekson se çdo gjë funksionon mirë:
“Bernie dhe unë jemi një ekip. Kur unë humbas durimin, ai i shpjegon Ace-it me qetësinë e tij karakteristike se nuk mund të shohë televizor derisa të përfundojë detyrat e shtëpisë.”
Një jetë gjithnjë e më larg luksit të tepruar
Në fillim të këtij viti, Ecclestone shiti koleksionin e tij privat prej 69 makinash të Formulës 1, me vlerë rreth 500 milionë paundë, tek Mark Mateschitz, trashëgimtar i Red Bull-it. “Më vjen mirë që këto makina janë tani në duar të sigurta,” – deklaroi ai.
Sipas ‘Bild’, ai ka shitur edhe një nga jahtet e tij dhe planifikon të shesë një tjetër, për të thjeshtuar jetën. Fabiana shpjegon se kjo ishte zgjedhja e duhur, pasi jahtet përdoreshin vetëm një javë në vit. “Megjithëse pasuria e tij vlerësohet në rreth 3 miliardë paundë, Bernie dhe bashkëshortja e tij jetojnë në mënyrë modeste në një banesë me pamje nga malet,” shkruan gazeta.
Baba për herë të katërt… pas 31 vitesh
Jeta e Ecclestone me një djalë pesëvjeçar është interesante, por historia e familjes së tij është edhe më e gjerë. Ai ka tri vajza të tjera: Deborah, 70 vjeçe (nga martesa e parë me Ivy Bamford), Tamara, 41 vjeçe dhe Petra, 36 vjeçe (nga martesa e dytë me Slavica Radic).
“Është diçka shumë e veçantë,” – rrëfen ai. – “Kur sheh djalin, më të voglin, kupton sa shumë gjëra kanë ndodhur ndërmjet.”
Ace ndjek një kopsht ndërkombëtar pranë shtëpisë dhe flet anglisht, portugalisht dhe gjermanishten zvicerane.
Një rreth miqsh gjithnjë e më i vogël
Në fund, Ecclestone reflekton për miqësitë që e kanë shoqëruar gjatë karrierës në Formula 1:
“Shumë njerëz kanë ardhur e ikur. Por ata që qëndruan gjithmonë pranë teje ishin të paktë. Besoj se ishin katër, tani ka mbetur vetëm një,” – tha ai, duke iu referuar Flavio Briatores.
Të tjerët – kampioni austriak Jochen Rindt, ish-presidenti i FIA-s Max Mosley dhe legjenda Niki Lauda – janë ndarë nga jeta, duke e lënë Ecclestone të reflektojë mbi një rreth gjithnjë e më të ngushtë miqsh të vërtetë, ndërtuar përgjatë më shumë se gjysmë shekulli në botën e garave.