Netanyahu urdhëroi 'sulme të fuqishme', Avionët izraelitë e bombardojnë Gazën, 3 të vrarë, dhjetra të plagosur
Një zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Hamasit i tha BBC-së se tre palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një serie sulmesh ajrore izraelite që goditën banesa, oborrin e spitalit al-Shifa, si dhe disa zona të tjera në Deir al-Balah dhe Khan Younis.
Dëshmitarë dhe banorë lokalë raportuan për shpërthime të fuqishme që tronditën Rripin e Gazës, ndërsa sulmet më të rënda u përqendruan në Qytetin e Gazës.
Kjo valë e re sulmesh erdhi vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të rifillojë bombardimet në Gaza, pas disa ditësh tensioni në rritje dhe akuzash se Hamasi po vonon procesin e dorëzimit të trupave të pengjeve izraelite.
Në një deklaratë, Hamasi mohoi çdo lidhje me një incident të mëparshëm që kishte në shënjestër një njësi të ushtrisë izraelite në qytetin jugor të Rafahut, duke theksuar se grupi mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katar-i.
Përshkallëzimi ka thelluar frikën mes banorëve se armëpushimi tashmë i brishtë mund të shembet, sidomos në kushtet e mosbesimit në rritje mes palëve dhe ngecjes së përpjekjeve për të kaluar në fazën e dytë të marrëveshjes së Kajros.
Ndërkohë, agjencitë e lajmeve Reuters dhe AFP kanë raportuar për dy persona janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pas një tjetër sulmi izraelit pranë Qytetit të Gazës, duke cituar një përditësim nga agjencia e Mbrojtjes Civile të kontrolluar nga Hamasi, shkruan BBC.
Marrëveshja e armëpushimit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, hyri në fuqi më 10 tetor, duke i ndalur luftimet dyvjeçare që nisën pas sulmeve vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.