Qeveria drejt legalizimit të lobimit, por kontratat e pagesave i mban sekret, Gazetari Karaj: Pr/ligji problematik

Me urdhër të Kryeministrit, qeveria ka propozuar për konsultim një projektligj për legalizimin e lobimit në Shqipëri, por ndryshe nga modelet në BE dhe SHBA, parashikon që t’i mbajë sekret fitimet dhe shpenzimet e lobuesve.

Projektligji  që është hedhur për konsultim publik, parashikon krijimin e një regjistri për lobistët ndërsa përmban një nen specifik që i klasifikon si “sekret tregtar” të gjitha transaksionet financiare, përfshirë kontratat dhe pagesat, duke ngritur shqetësime se kjo mund të formalizojë korrupsionin në vend që ta luftojë atë.

‘Sigurisht që është problematik, sigurisht që nuk garanton transparencën që duhet të garantonte’ tha gazetari Vladimir Karaj mbrëmjen e sotme në një intervistë për edicionin ‘Ora 19’ me moderatoren Armela Ferko në SYRI TV.

Gazetari shpjegon në detaje se çfarë parashikohet nga ky draft/ligj, problematikat e këtij drafti dhe bën një krahasim.

“Ndryshe nga çfarë është rasti në SHBA, pra ku ne e dimë sa është paguar, pse është paguar dhe, dhe kush ka paguar, ligji në Shqipëri parashikon që kjo të jetë sekret, e specifikon që duhet të ruhet sekret. Pra që këto të dhëna mblidhen vetëm nga autoriteti, në këtë rast është përcaktuar komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, dhe këto të dhëna ruhen, janë sekret, ruhen si sekret tregtar.

Çka pastaj krijon dyshime nëse ligji vërtet do të sjellë transparencë sepse duke mos e ditur se sa para po shpenzohen,  në ç'bazë, mbi ç'kushte është arritur kjo marrëveshje dhe për çfarë po shpenzohen, normalisht që kjo nuk sjell transparencë

Normalisht është një draft, është projektligj dhe normalisht që do të diskutohet. Por është problematike thelbi i tij, fakti që synohet të krijojë barriera për publikun, të krijojë barriera për transparencën, së pari. Së dyti, është problematike fakti që institucioni i përzgjedhur për ta, monitoruar lobimin është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që nuk ka as kapacitetet dhe as ka atë drejtim.

Vendet që e kanë lobimin të legalizuar, e njohin dhe e monitoron parlamenti, pra nuk është diçka që i lihet në dorë institucioneve të tjera të pavarura apo të varura në vend, e monitoron parlamenti” tha Karaj.