Kthesa e papritur/ Bill Gates paralajmëron: Mos përhapni panik për ndryshimet klimatike
Nga Dennis Dreher, BILD
Në të kaluarën, miliarderi amerikan paralajmëronte shpesh me fjalë të ashpra për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe u bënte thirrje njerëzve që të ndërmerrnin me shpejtësi një “kthesë CO₂”.
Por ja ku vjen surpriza: edhe pse Gates ka investuar shumë para në projekte për mbrojtjen e klimës, duket se tani ai e ka ndryshuar qëndrimin e tij.
Gazeta “New York Times” citon një memo të themeluesit të Microsoft-it, ku Gates shkruan se ndryshimet klimatike do të kenë pasoja të rënda sidomos për njerëzit që jetojnë në vendet më të varfra.
Por, sipas tij: “Njerëzit do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të zhvillohen në pjesën më të madhe të botës për një të ardhme të parashikueshme”.
Ai shton gjithashtu se një “parashikim apokaliptik” nuk është i përshtatshëm.
Ky ndryshim vjen vetëm katër vjet pasi Gates publikoi librin e tij bestseller “Si ta parandalojmë katastrofën klimatike” – dhe ndodh në një kohë kur jo vetëm miliarderi po rishikon qëndrimin e vet.
Sipas studimit “Siemens Infrastructure Transition Monitor”, në të cilin u pyetën 1400 vendimmarrës të lartë nga politika dhe ekonomia, del se tema më e rëndësishme për kompanitë sot nuk është më mbrojtja e klimës, por siguria energjetike.
Zbulime të tjera: Më shumë se gjysma e të anketuarve (57 për qind) duan madje të rrisin investimet në lëndë djegëse fosile gjatë dy viteve të ardhshme.
Përveç kësaj, vetëm 37 për qind e vendimmarrësve besojnë se do të arrijnë objektivat e tyre klimatike deri në vitin 2030 – ndërsa në sondazhin e mëparshëm të vitit 2023 kjo shifër ishte 44 për qind.
A e ka ndikuar ndryshimi i pushtetit në SHBA qëndrimin e Gates?
Ndërsa mbrojtja e klimës ishte një prioritet kryesor për ish-presidentin Joe Biden (82), pasardhësi i tij, Donald Trump, fokusohet kryesisht te rritja ekonomike.
Slogani i tij gjatë fushatës: “Drill, Baby, Drill” —do të thotë: dhënie e shpejtë e licencave për nxjerrjen e naftës dhe gazit, dhe nxitje e ekonomisë përmes energjisë së lirë (fosile).
Në fillim të këtij viti, Gates kishte njoftuar shkurtime në fondacionin e tij për rreziqet e ndryshimeve klimatike, ‘Breakthrough Energy’.
Vetëm pak muaj më vonë, ai foli madje për shpërbërjen e “Gates Foundation” — fondacionit të tij që më parë kishte investuar mbi një miliard dollarë në projekte për mbrojtjen e klimës në vendet e botës së tretë.