Tetova: Fitorja ndaj Teutës ishte e merituar, Egnatia do të vazhdojë të luajë futbollin e vet

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, e vlerësoi si të merituar fitoren 1-0 ndaj Teutës në javën e nëntë të Superiores. Ai theksoi se ekipi i tij kishte bërë një ndeshje të mirë dhe se do të vazhdonte të luante futbollin e vet tipik, pavarësisht nga kundërshtari.

“Është një fitore e rëndësishme. Teuta nuk kishte humbje deri sot, dhe e merituam fitoren,” tha Tetova. Sipas tij, skuadra ishte e organizuar mirë në pjesën e parë dhe në 15 minutat e para të pjesës së dytë. “Pas golit, Teuta krijoi presion të lartë, por e menaxhuam situatën mirë. Kishim mundësi ta dyfishonim rezultatin me Buriç, por nuk ia dolëm,” shtoi trajneri.

Tetova foli edhe për ndryshimet dhe strategjinë gjatë ndeshjes: “Zëvendësimet erdhën për energjinë e konsumuar. Kur Teuta vendosi lojtarë për gjerësinë, unë ndryshova skemën. Kjo është mënyra ime e lojës – kushdo të vijë kundër nesh, do të luajmë kështu dhe do të përpiqemi të fitojmë ose të barazojmë.”

Ai gjithashtu komentoi performancën e mesfushorit Kryeziu: “Normalisht duhet të ishte pak më i shpejtë në manovër, por është në rrugën e duhur dhe e përgëzoj për lojën.”

Tetova theksoi se objektivi i tij kryesor nuk është goli, por shpejtësia dhe konsistenca në manovra. “Ka ngërçe të vogla, por kampionati është i gjatë. Nëse punojmë çdo ditë, gjithçka do të ecë mirë,” përfundoi trajneri.