Osmani do të kërkojë 'kompromis politik', Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet
Presidentja Vjosa Osmani do ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, tha për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, pasi shoqëria civile në vend i bëri thirrja asaj t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri.
“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina të martën.
Ai shtoi se Osmani “do t'i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Osmani pritet t'i thërrasë për konsultime partitë politike së shpejti, pasi të dielën, mandatari i parë për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, dështoi t'i fitojë votat e nevojshme për një mandat të tretë.
Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.
Të dielën e 26 tetorit ishte dita e fundit nga afati prej 15 ditësh kur i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, është dashur të paraqesë para Kuvendit përbërjen e programin e qeverisë së re.
Në seancën për votimin e qeverisë së drejtuar nga ai, Kurti u fut pa arritur paraprakisht ndonjë marrëveshje politike me subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend apo deputetët individualisht.
Kësisoj, në votimin e zhvilluar, për votuan 56 deputetë, 52 ishin kundër e 4 abstenuan nga 112 sa morën pjesë në seancë, duke mos arritur të votohet qeveria e re.