Rama mbetet në ajër/ 'Lideri global' fluturon në një tjetër forum ku sulmon Perëndimin dhe lavdëron Arabinë
Edi Rama fluturoi drejt një tjetër forumi brenda pak ditësh.
Fillimisht ishte në Londër, më pas fluturoi për në Berlin, ndërkohë orët e fundit ai ka mbërritur në Riad të Arabisë Saudite.
Në mesin e skandaleve që kanë mbërthyer vendin, ku figura kryesore është numri dy i qeverisë së tij, Belinda Balluku, Rama duket se nuk ka ndërmend të vizitojë vendin e tij, por të qëndrojë më shumë në ajër.
Këtë herë, Edi Rama ishte i pranishëm në një forum për investimet.
Për ironi, personi që sapo është akuzuar zyrtarisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë se ka vjedhur zgjedhjet e 11 majit përmes një manipulimi në shkallë industriale, vendosi të sulmojë Europën nga ky forum dhe të vlerësojë Arabinë Saudite.
“Evropa duhet të marrë një dush përulësie,” deklaroi ‘lideri global’, Edi Rama, duke sugjeruar se Perëndimi ka humbur vizionin dhe sensin e masës.
Rama kritikoi Evropën për mungesë imagjinatë, por në të njëjtin forum, Rama lavdëroi Arabinë Saudite për transformimin e saj, duke e quajtur “Firence 2.0”, dhe theksoi lidhjen mes bukurisë dhe prosperitetit.
Megjithatë, ndërsa admiron “imazhin e ri” të Gjirit Arabik, kritika ndaj Evropës bie në kontrast me pritshmëritë e Shqipërisë për të ardhmen europiane.
Kujtojmë se Edi Rama i ka shpallur udhëtimet e tij një sekret shtetëror, ndërkohë që miliona euro të taksapaguesve shpenzohen pa asnjë transparencë.