Nga Berlini në Mynih, rrugëtimi i shkëlqyer i Yll Gashit: Kosova dhe Shqipëria në garë për talentin e Bayernit
Yll Gashi, vetëm 17 vjeç, po shpallet një nga talentet më të ndritshëm të futbollit të të rinjve në Gjermani. Media e njohur gjermane ‘Bild’ i ka kushtuar një artikull të veçantë sulmuesit kosovar, i cili ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga Berlini te Bayerni i Mynihut.
Gashi kaloi gjashtë vite në Berlin, duke shkëlqyer me Reinickendorfer Füchse dhe Hertha Berlin, para se të transferohej te Bayerni në shtator të vitit 2022, vetëm 14-vjeç. Transferimi u realizua për 90,000 euro, dhe që atëherë sulmuesi ka shënuar hapa të mëdhenj në zhvillimin e tij.
Flasin më mirë statistikat
Që nga mbërritja në klubin bavarez, Gashi është shndërruar në një “makinë golash”. Vetëm në tri vitet e fundit ai ka realizuar 39 gola dhe ka dhuruar 13 asiste në 54 ndeshje me ekipet U-17 dhe U-19 të Bayernit. Duke llogaritur që nga mosha U-15, ai ka tejkaluar 100 gola për klubin, duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore, dhe tashmë është stërvitur edhe me ekipin e parë.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në maj, Ylli u rikthye plotësisht në formë që nga shtatori dhe ka rifituar vendin e titullarit.
Kosova dhe Shqipëria, në garë për talentin
Sipas ‘Bild’, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda (59), ka udhëtuar personalisht në Mynih për t’u takuar me Gashin dhe familjen e tij, me qëllim që ta përfshijë menjëherë në ekipin e të rriturve. Foda e sheh ‘Yllin’ si një element që mund të bëjë diferencën në repartin ofensiv, falë shpejtësisë, teknikës dhe instiktit të golit.
Edhe Shqipëria ka nisur lëvizjet e saj për ta bindur sulmuesin të veshë fanellën kuq e zi. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka (63), ka zhvilluar gjithashtu bisedime direkte me familjen e futbollistit në Mynih. Aktualisht, Gashi nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa të dy federatat ruajnë kontakt të vazhdueshëm me të.
E ardhmja te Bayerni dhe interesimi evropian
Bayerni e konsideron Gashin një talent afatgjatë. Ai ka qenë pjesë e formacioneve që kanë fituar tituj në futbollin e të rinjve dhe pritet të firmosë kontratën e tij të parë profesionale në fillim të vitit 2026.
Hertha Berlin mund të përfitojë deri në 500,000 euro bonus nëse Gashi regjistron 30 paraqitje me ekipin e parë të Bayernit, falë një klauzole të veçantë në marrëveshjen e transferimit. Ndërkohë, talenti i ri është nën vëzhgimin e shumë klubeve të mëdha evropiane, përfshirë AC Milan, Atalanta, Leipzig, Frankfurt, Freiburg, Ajax, Fenerbahçe, Galatasaray, Anderlecht, Basel, Young Boys dhe Salzburg.
Cili do të arrijë ta bindë Ylli Gashin për të përfaqësuar vendin e tij do të fitojë një nga sulmuesit më premtues të futbollit modern, një lojtar që kombinon instinktin e golit, inteligjencën taktike dhe një mentalitet të pjekur për moshën e tij.