Bellai: E humbëm ndeshjen psikologjikisht, kjo ‘shuplakë’ na ul me këmbë në tokë

Trajneri i Vorës, Arjan Bellai, u shfaq i zhgënjyer pas humbjes 2-1 ndaj Bylisit, duke pranuar se skuadra e tij nuk reagoi si duhet pas kartonit të kuq të vendasve. Sipas tij, lojtarët humbën përqendrimin dhe dëshirën për të përfituar nga epërsia numerike.

“Nuk jam aspak i kënaqur sot. E humbëm ndeshjen në aspektin psikologjik, sepse pas kartonit të kuq menduam se gjithçka do të ishte më e lehtë. Në fakt, kjo na bëri të humbnim dëshirën dhe qetësinë. E dinim që në Ballsh është vështirë të fitosh dhe e kishim paralajmëruar këtë. Nuk ishim të saktë në goditjet standarde dhe mungesat na kushtuan,” deklaroi Bellai.

Trajneri theksoi se ky dështim duhet të shërbejë si një mësim për skuadrën: “Kjo shuplakë na kthen me këmbë në tokë. Duhet të kuptojmë realisht nivelin tonë dhe të mos mendojmë se jemi bërë ndonjë skuadër e madhe. Kampionati është i vështirë dhe nga java tjetër me Partizanin nis një seri ndeshjesh shumë të forta.”

Bellai komentoi edhe aspektet taktike, duke sqaruar rolet e lojtarëve në mesfushë: “Kasalla, Tabaku dhe Dalipi kishin detyra të qarta. U vonuam në ngjitje dhe kjo na penalizoi. Kasalla nuk ishte në 100% për shkak të një problemi dentar, por gjithsesi bëri mirë. Edhe Tabaku dhe Bardhi dhanë maksimumin, por na mungoi freskia.”

Në fund, Bellai tha se humbja duhet të shërbejë si reflektim: “Duhet të reagojmë, të jemi më të uritur dhe më të kujdesshëm në çdo moment të lojës.”