Josa pas fitores me Vorën: Kartoni i kuq i drejtë, por skuadra reagoi me karakter
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, u shfaq i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij pas fitores 2-1 ndaj Vorës, ndonëse ballshiotët luajtën me një lojtar më pak për më shumë se 70 minuta. Në përfundim të ndeshjes, Josa pranoi se kartoni i kuq për Abazajn ishte i merituar, por vlerësoi mënyrën si skuadra reagoi në inferioritet numerik.
“Duhet të shohim fazat e lojës. Më vjen keq që mbetemi shpesh me një lojtar më pak dhe sot ndodhi në një moment kur Vora po ushtronte presion. Ishte karton i kuq i drejtë, situatë që e krijuam vetë duke pasur topin në zotërim. Megjithatë, me 10 lojtarë luajtëm futboll dhe kjo më kënaq, edhe nëse loja do të kishte përfunduar në barazim,” tha Josa.
Tekniku vlerësoi edhe reagimin taktik të skuadrës: “Zëvendësimet i bëmë në pjesën e përparme për shkak të lodhjes nga ndeshja e kaluar. Kur luan me një lojtar më pak, duhet të reagosh me disiplinë taktike, gjë që në disa momente nuk e bëmë mirë. Në mesfushë duhej të ishim më të kujdesshëm.”
Sa i përket kundërshtarit, Josa shtoi: “Vora nuk është ekip pa grintë, kanë lojtarë që e interpretojnë mirë lojën. Sot mund të na ndodhte ajo që i ndodhi Elbasanit kundër tyre. Në disa momente nuk ishim të ngjeshur sa duhet, por në fund skuadra tregoi karakter dhe mori një fitore të merituar.”