Djali vret babanë në Durrës/ Fqinji flet për tragjedinë: Pak kohë më parë i vdiq e ëma, vetëm ai ishte këtu me të atin
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi sot Durrësin, ku një 25-vjeçar vrau me thikë babain e tij brenda banesës familjare në fshatin Shkallnur.
Fqinjët e familjes Kodheli, të tronditur nga ngjarja, tregojnë se ata janë me origjinë nga Mirdita dhe se familja njihej si e qetë.
“Nuk e dimë çfarë ka ndodhur. Janë nga Mirdita, njerëz të mirë. Ai djali ishte i pamartuar. Pak kohë më parë i vdiq e ëma, i ra një tullë në kokë dhe humbi jetën. Kanë gjashtë fëmijë, të gjithë jashtë vendit. Vetëm ai ishte këtu me të atin,” – rrëfejnë fqinjët për mediat.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të mesditës së sotme, ku i riu me iniciale Marjan Kodheli, dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike i mori jetën të atit, Pjetër Kodheli, 69 vjeç. Viktima humbi jetën gjatë transportit drejt spitalit, ndërsa autori u arrestua nga policia pak pas krimit.
Sipas burimeve, Marjan Kodheli dyshohet të ketë pasur probleme të shëndetit mendor. Policia dhe prokuroria po hetojnë shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike brenda familjes.