Hajdutllëku si qeverisje dhe disa propozime për ndryshimin e Kushtetutës

Kur votimet mbyllen, secili që ka hedhur fletën për partinë që dëshironte, shikon me vëmendje se kush është shumica. Me 11 maj, shumicë me qitapët e qeverisë që i menaxhon ish-ministri i Ramës, kishte dalë fituese bindshëm partia e themeluar me 1941 e që vegjeton akoma në Shqipëri.

A u vodhën votat? Pyetje që për secilin shqiptar ka një përgjigje të menjëhershme. PO. Edhe ata që kanë bindje të majta dhe që votojnë për PS gjithmonë, thonë se edhe mund të jete blerë ndonjë votë, por rezultati nuk ndryshon nga ato blerje të “vogla”.

Pra, vjedhja pranohet lirshëm në çdo tavolinë mediatike ku recitojnë ata që paguhen nga inceneratorët dhe ata që kontribuojnë në rritjen e kodrës së mbetjeve në vendin ku duhej të ishte inceneratori. Një pemë e kanë mbjellë sa për shenjë që të gjendet kollaj varri i parave të vjedhura. Të kemi çfarë të tregojmë. Do të duket edhe nga larg vite më vonë, kur të rritet pema.

Pra, u vodhën votat, pasi ishin vjedhur paratë e inceneratorit e të shumë inceratorëve të tjerë e mijëra e mijëra tenderëve që nga blerja e stilolapsave e deri tek rrugët strategjikë të Ballukut. U vodhën paratë, me ato u blenë votat, që të vjedhin sërish Shqipërinë.

Tani, hajdut, mund të të quajë gjykata, thotë kreu i qeverisë. Ose kreu i bandës së hajdutëve. Por se dalin hajdutë zv/kryeministra, ministra, drejtorë të lartë qeverie, deputetë, kryetarë bashkie, zyrtarë lokale dhe qendrorë, ky nuk është problem i Liderit. Mjafton që firma e tij të mos jetë në dokumente. Dhe ata që shkojnë në pranga, e qepin gojën. Se Lideri ka të drejtë dhe ata e bëjnë këtë pa pikën e “presionit”.

Hajdutllëku është shndërruar në urdhëresë legale për t’u promovuar njerëzit në administratë. Kur merresh në punë, shikohet e kaluara jote, nëse nuk ke vjedhur apo nuk ia ke idenë për të vjedhur, nuk je i përshtatshëm. Duhet të kesh edhe rekomandime nga hajdutë që ose janë në burg, ose janë të lirë pasi kanë kryer dënimin për vjedhje. Nëse nuk di të firmosësh vjedhje për shefat por edhe të marrësh ndonjë kacidhe për vetë nga paratë publike, nuk ka shanse të promovohesh.

Ky është promovimi i hajdutit si model qeverisje. E dimë që kishte akuza për Edi Ramën që në kohën që ka qenë në bashkinë e Tiranës, por edhe më herët, për vjedhje. Por, herë i besonim e herë jo. Janë akuza politike. Por ato u bënë aq jo politike këto vitet e qeverisjes se tij me PS, sa i ka humbur edhe emocionaliteti kësaj fjale. Bilës nëse akuzohesh për hajdut, as kokën nuk e kthen fare. Duket sikur je duke i thënë mirëmëngjesi dikujt e ai dikush herë të kthen përshëndetjen e herë të përshëndet vetëm me dorë. Respekt.

Pra modeli i hajdutllëkut së shpejti do të sanksionohet edhe në Kushtetutë!!!!

Amendamentet që do të duhet të shtohen pasi të votojë edhe partia e Doshit do të duhet të jenë.

Amendamenti Veliaj – Vjedhja e 100 për qind e shumës së tenderave nga shokët që të investojnë në hotele të miat dhe të shokëve nuk quhet krim. Inceneratori i Tiranës është shfaqje borgjeze, nuk duhet, paratë t’i marrë PS, deputetet e saj, dhe të blihen mediat.

Amendamenti Balluku – Vjedhja me miliona euro me tenderët nuk quhet vjedhje. Quhet marrje e shpërblimit nga banditët që tenderojnë për lodhjen e madhe që ka titullari, edhe i madhi, edhe i mesmi, edhe i vogli. Për këtë mjaftojnë 50 për qind te votave të hajdutëve që PS i ka më siguri.

Amendamenti i propozuar nga krerët e bashkive – Kur negociatat për vjedhjen e radhës i bënë vetë kreu i bashkisë dhe tenderët i marrin shokët e tyre apo familjarët e tyre, e verifikuar kjo nga gjendja civile, tenderi quhet i rregullt dhe hajdutët do vijojnë të jenë kryetarë bashkie edhe për vjedhjet e radhës.

Amendament i propozuar nga Policia e Shtetit dhe hetuesit që duhet të kapin hajdutët – Propozojmë që vjedhja të hiqet nga kodi penal, ai civil dhe të quhet thjesht një kundravajtje rrugore.

Amendamenti i propozuar nga gjyqtarët se jo të gjithë janë matrapazxhinj apo matrpazxhesha – Vjedhja të qëndrojë tek kodet. Se me çfarë do jetojmë ne pastaj. Po nuk u paguam nga hajdutët që ata të fitojnë lirinë. Se atyre që u shkelet e drejta nuk kanë të drejtë, se nuk paguajnë lekë në dorë as nën dorë. Besojnë tek drejtësia. Kurse hajdutët na mbajnë gjallë paguajnë me thes. Për këtë amendament duhen 33.33 për qind të votave. Kalon kollaj.

Amendamenti për ndryshime në Kushtetutë edhe nga prokurorët e qeverisë – Ata propozojnë që të gjithë denoncuesit e vjedhjeve të bëjnë burg për denoncime të rremë pasi Gjykata “Afërmendsh” të vendosë ne mënyrë të drejtë në varësi të pazarit.

Ndërsa amendamenti i radhës të jetë që opozitën ta mbajmë nëpër gjyqe, me vjedhje, pa vjedhje, ma akuza, pa akuza, me deklarata, pa deklarata, me kallëzime, pa kallëzime. Veç t’i mbyllim gojën.

Se desh harrova Amendamentin Beqja – Do të quhet, unë nuk di gjë, unë s’kam faj. Të gjithë ata zyrtarë që thonë këtë frazë nuk janë hajdutë.

Amendamenti Rama – Hajdutët janë forcë e madhe në ndërtimin e socializmit. Marrin ndonjë lekë nga tenderët për mirëqenien e tyre sociale.

Amandementi Spiropali – Me këto hajdutllëqet bëhen edhe filma. Mund të bëhemi subjekt i Hollivudit, ku ka më mirë. Të futet në Kushtetutë.

Amendamenti Tahiri është më interesanti – Drogë gjithandej. Pyll orbital me hashash gjithë Shqipërisë. Por edhe ministrat banditë nuk duhet të dënohen. Ky do votohet nga një shumicë bindëse sepse është nen shumë i rëndësishëm.

Se ka akoma për të vjedhur e shkatërruar në këtë vend. Sa të mbarojmë punë thonë këshilltarët e majtë e pastaj ti bëjmë ca gjera, si integrimi, si zhvillimi….

Pastaj në preambulë të mos harrojmë të vendoset me shkronja kapitale, shteti narkotrafik i korruptuar si pikënisje e demokracisë solide.

Mos harroni të nderuar hajdutë më shumicë. Duhet edhe mbretëria e hajnisë të jetë e zyrtarizuar. Kështu është më kollaj që të gënjesh ndërkombëtarët.  E kështu edhe Ali Baba me bandën e tij s’ka nevojë për shpella, i bën kulla.

Do i mbjellin një pemë tek koka, edhe drejtësisë si inceneratorëve, e ajo do rritet. Shqiptarët, duke parë ritmin e shpopullimit, do të shohin nga avioni edhe këtë varrezën tjetër.

Në librat e historisë kam lexuar se shpesh njerëzit i marrin fatet e tyre vet në dorë e nuk i lenë as në qitapët e as ne llogaritë e hajdutëve.

Por ky nuk duket që është rasti i Shqipërisë. Fatkeqësi.