Berisha: Jemi kundër zvogëlimit të numrit të bashkive, dy kushtet tona për Komisionet e posaçme janë pranuar
Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike është kundër zvogëlimit të numrit të bashkive, duke theksuar se çdo ndryshim territorial duhet të bëhet vetëm me transparencë dhe me asistencë ndërkombëtare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri të ditur se dy kushtet e vendosura nga opozita për ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare janë pranuar, duke i cilësuar si hapa pozitivë drejt një procesi të ndershëm reformash.
“Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore të jetë i pranishëm ODIHR dhe të na ndihmojë, ndërsa në Komisionin për Reformën Territoriale të jenë ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës, pranë Këshillit të Europës,” deklaroi Berisha, duke shtuar se këto institucione garantojnë standarde dhe ekspertizë reale për pushtetin vendor.
Në vijim, Berisha u shpreh se nuk është dakord me idenë për uljen e numrit të bashkive, përkundrazi, duhet të ketë më shumë njësi vendore për t’u afruar më shumë me qytetarët dhe për të forcuar qeverisjen lokale.
Pjesë nga deklarata për media:
Tani, ka dhe një mendim tjetër që është i kahershëm, nëse hyn në anale. Po është 25-30 vite më parë, që vendi të bëhet me dy Dhoma. Të ketë dhomën e lartë, Senatin dhe dhomën e parlamentit.
Unë jam dakord me këtë variant, sepse sado pak, pak, por nëse e ndërton Senatin jo si një institucion bllokues, se me bllokim shteti nuk ndërtohet, por si një institucion frenues në një farë mënyre, atëherë i bën një të mirë vendit.
Senati është i dobishëm, shumë vende e kanë, ka të tjera që nuk e kanë.
Shqipëria nëse vendos të ketë senat, atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve.
Për bashkitë jo, nuk jemi për zvogëlimin e tyre...
... Unë them të jenë më shumë, por ne kemi vënë një kusht që është pranuar. Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore i pranishëm të jetë ODIHR dhe të na ndihmojë.
Në Komisionin për Reformën Territoriale të jenë ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Europës, pranë Këshillit të Europës. Kanë ekspertizën më të shkëlqyer më të mirë në ndërtimin e pushtetit vendor.