Veliaj shpall veten të përndjekur politikisht nga Rama – publikon raportin që ka bërë vetë, po nuk guxon...

Erion Veliaj po përpiqet të shitet si viktimë politike. Studioja ligjore që ai ka paguar për ta mbrojtur ka publikuar një raport ku thuhet se kryebashkiaku i Tiranës po “përndiqet politikisht”. Por pas çdo rreshti të këtij raporti fshihet një e vërtetë që Veliaj e thotë me frikë: përndjekësi, sipas tij, është vetë Edi Rama.

Pas vitesh nën urdhrat e ish-bossit të tij, Veliaj tani përpiqet të bindë publikun se është viktimë e tij – por edhe në këtë “rrëfim lirie”, ai dridhet t’i përmendë emrin.

Pse Veliaj thotë që po më persekuton Rama pa ia përmendur emrin:

Edi Rama e ka linçuar publikisht disa herë duke i dhënë urdhëra tipit, dil nesër në 5 të mëngjesit lyej shkallët, do të të var te pemët që po mbjell e me radhë.

Pas linçimit publik Rama urdhëroi drejtësinë të paktetonte Veliajn për në qeli. E vuri në gjumë 24 orët e para duke bërë sikur nuk dinte gjë dhe fill pas kësaj shkoi i shpartalloi bashkinë duke i larguar njerëzit e tij nga zyrat.

Pas kesaj, po Edi Rama udhëroi publikisht Këshillin Bashkiak të shkarkojë Veliajn dhe po ashtu i kërkoi Bajram Begajt të shpallë datën e zgjedhjeve pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin që bëri Veliaj.

Të gjitha këto “persekutime” që përpiqet Veliaj ti adresojë pa u vënë emër, kanë një emër dhe ai është bossi i tij, Edi Rama.

Më poshtë, deklarata e plotë e studiove ligjore Kasoëitz dhe Mishcon de Reya:

Kasoëitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.” Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.

Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet. Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht – ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale – ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.

Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës – duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj – e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra – të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.

Një kopje e Raportit të Përditësuar Veliaj është e disponueshme këtu. Çdo kërkesë informacioni duhet t’i drejtohet Shannon O’Reilly (soreilly@kasoëitz).

Ekipi i Kasoëitz përfshin partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi në Nju Jork, si dhe këshilltaren e lartë Clarine Nardi Riddle dhe këshilltarin e posaçëm David Miller në Uashington, D.C.

Ekipi i Mishcon de Reya përfshin partnerët James Libson dhe Ben Brandon, menaxheren e asociuar Celia Marr, dhe bashkëpunëtoret Grace Houghton dhe Elizabeth Fitton.