'Protestë për mungesën e shpronësimeve'/ Banorët e Gurrasit: Na morën tokat pa asnjë kompensim

Një tjetër protestë është zhvilluar këtë të martë në Bashkinë e Pogradecit, ku banorët e fshatit Gurras kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar mënyrën se si po zbatohet projekti rindërtimit të rrugës së re Gurras–Tushëmisht.

Sipas banorëve, punimet kanë nisur dhe janë kryer mbi tokat e tyre bujqësore, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa ndjekur procedurat ligjore të shpronësimit. Ata thonë se janë gjetur përballë makinerive që po hapnin rrugën pa asnjë dokument apo vlerësim zyrtar.

“Na kanë marrë tokat pa na pyetur fare. Kemi letra, kemi tapitë tona sipas ligjit 7501 dhe askush nuk na ka dëmshpërblyer. Rruga po kalon mes arave tona, por asnjë kompensim s’na është dhënë,” – u shpreh një nga banorët.

Sipas tyre, rreth 120 familje janë prekur nga projekti, duke humbur sipërfaqe të konsiderueshme tokash që janë burim jetese për komunitetin. Tokat në fjalë janë toka buke, të mbjella çdo vit me kultura bujqësore, dhe për këtë arsye dëmi ekonomik për banorët është i madh.

“Këto janë toka prodhuese, na ushqejnë familjet. Bashkia na ka premtuar zgjidhje, por vetëm na sorollat. Ne duam drejtësi dhe kompensimin që na takon me ligj,” – shprehen të tjerë.

Nga ana e saj, Bashkia e Pogradecit ka pranuar se procedurat e shpronësimit janë ende në proces, por banorët e cilësojnë këtë si justifikim për vonesa të pajustifikuara.

Banorët paralajmërojnë se nëse institucionet nuk ndërhyjnë me zgjidhje konkrete, protestat do të përshkallëzohen, ndërsa kërkojnë reagimin urgjent të qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës për të ndaluar, siç thonë ata, abuzimet me pronat e tyre.