‘Nga bakllava në revani’ – Ministri i Kurtit drejt aventurave në Shqipëri

Në vazhdën e një tradite mijëvjeçare, Porti i Durrësit edhe sot është aorta e shkëmbimeve tregtare për Shqipërinë. Vëllimi i qarkullimit të tij tregtar është me miliarda euro në vit. Organi publik që e ka përsipër mbarëvajtjen e këtij porti, Autoriteti Portual Durrës, mund të ketë në krye Liburn Aliun. Ish-ministri i Kurtit, i cili nga Prokuroria Speciale në Kosovë prej vitit të kaluar hetohet për keqpërdorim detyre zyrtare, duket se ia ka mbushur syrin Edi Ramës. Nëse kjo ndodh, një kosovar për herë të parë do të drejtojë Autoritetin që ka tagër për të vënë tarifa për anijet e transportit dhe mbikëqyrjen e pronës publike të portit. Nga viti në vit, Autoriteti Portual i Durrësit lakohet si vend ku zbarkojnë vazhdimisht hetues në ndjekje të keqpërdorimeve e korrupsionit masiv. Prej muajsh ka qenë e ditur se Aliu po bënte pazare për t’u bërë pjesë e Qeverisë Rama. Pasi Kurti praktikisht i ka paralizuar raportet ndërshqiptare, edhe Rama nuk është se ka qëndruar indiferent. Ai qëllimisht u ka ofruar mundësi atyre njerëzve që nuk ua ka dhënë hakun Kurti. Burime të NACIONALE-s kanë mësuar se këtyre javëve Aliu ka qenë tejet i zemëruar ndaj Vetëvendosjes që ia ktheu shpinën. Në takime me aktivistë e militantë, ai madje nuk ka ngurruar të përdorë edhe kërcënime në adresë të ish-kryeministrit.

Dy muaj pas dorëheqjes, Liburn Aliut mund t’i bëhet vend në njërën nga pozitat më epërore publike në Shqipëri.

Ndonëse ende nuk është kumtuar zyrtarisht, ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në qeverinë e Albin Kurtit është apostrofuar si drejtori i ardhshëm i Autoritetit Portal të Durrësit.

Por, burime të ndryshme e kanë pohuar njëzëri se emërimi i Aliut është bërë me vendim të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sihariqin e ka dhënë ministrja e Arsimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro-Furxhi, e cila e para ia ka bërë përhajr detyrën Liburn Aliut “atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik”.

Si nja njëzet minuta pas afishimit të këtij njoftimi, ajo e ka fshirë atë bashkë edhe me lavdërimin për vendimin e Ballukut.

Drejtor po, por ku? Tonazhi i rëndë korruptiv i Autoritetit Portal

Kësisoj, njeriu që dikur ishte krahu i djathtë i Kurtit mund të jetë në pozitën e cila në Shqipëri është e njohur për shkarkime të shpeshta sebep aferave korruptive.

Me Kreshnik Bajraktarin si drejtorin e fundit, historia e viteve të fundit ka qenë e shënuar prej emërimesh, shkarkimesh e dorëheqjesh të njëpasnjëshme – disa prej tyre ishin mpleksur me akuza për shpërdorim detyre.

Duke e pasur nën menaxhim limanin e Durrësit si njëri nga më të mëdhenjtë në Detin Adriatik e Jon, Autoriteti Portal është adresë në derën e të cilit troket mjaft shpesh SPAK-u.

Llupa e hetimeve është vënë mbi të sidomos pasi privatizimit, më 2021, të terminalit të ngarkim-shkarkimit të kontinierëve.

Dimal Basha nuk ishte arsyeja e vërtetë. Hmmm...

Më 27 gusht, Liburn Aliu e pati njoftuar dorëheqjen e tij nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, duke e cituar si arsye zgjedhjen e bashkëpartiakut të tij, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.

Por, dy muaj më vonë, kjo arsye del jo fort bindëse.

Mbi dorëheqjen e tij binte hija e një fesati të gjatë me shefin e tij, Albin Kurti, i cili e kishte ekskomunikuar vazhdimisht.

Ç’është e vërteta, kjo ngatërresë e kishte përcjellë ç’prej emërimit të tij më 23 mars 2021.

Herë në formë moskomunikimi e herë në formë nxitjesh të të tjerëve, antipatia e Kurtit kishte kulmuar gjatë një mbledhje të kabinetit qeveritar, në shtatorin e vjetmë, kur Kurti i ishte drejtuar Aliut me qesëndi “Hajde, ti ministri i Asfaltit…”.

Në idiolektin politik kosovar, gjithçka e lidhur me asfaltin është antonomazi për korrupsionin e tenderët.

Një dramë me dashuri, tradhti e hakmarrje

I izoluar nga shumica e bashkëpartiakëve – të cilët e kishin zhveshur nga të gjitha pozicionet në parti – edhe Aliu me takat të vetin e kishte filluar sabotimin e shefit të tij.

Me ndonjë lëvizje simbolike si afrim me partinë e tij të dikurshme, PDK-në, ose me deklarime publike kundër vijës së VV-së, ai e kishte përgënjeshtruar edhe Kurtin për premtimet e dhëna pa mbulesë për autostradën e Gjilanit.

Belaja del se nuk ka mbaruar as pas dorëheqjes së tij me 27 gusht, kur vetë Aliu e përjetoi në lëkurën e vet linçin e egërsinë verbale të mijëra mbështetësve të VV-së.

Si për ironi, kur në fund të 2017-s Vetëvendosja u nda në dysh, ai doli më i zëshmi për t’i akuzuar aktivistët e larguar, madje edhe duke i insinuar se kishin qenë të privilegjuar me paga.

Si shembull klasik i karmës, vetë Aliu do të kalonte ato për të cilët i kishte bërë me faj të tjerët.

Kur më 24 korrik 2020 Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti një aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare si Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Aliut iu hap hap sipari i një kapitulli të ri në jetën e tij në politikë.

Nga ajo kohë e tutje, marrëdhënia e tij me partinë do të ndryshonte përgjithmonë.

Patricidi: “E menduam Enver, na doli Fadil”

Burime të NACIONALE-s brenda në Vetëvendosje kanë mësuar se ai tani nuk lë rast pa e sharë shefin e tij – madje edhe duke e kërcënuar ish-kryeministrin.

“E menduam si Enver Hoxhë e na doli Fadil Hoxhë”, i kishte thënë ai një aktivisti në mirëbesim. “Më i poshtër nuk ka, si nuk i shkova në zyrë me i …”

I sapovendosur në kryeqytetin shqiptar dhe në lidhje dashurore me arkitekten nga Tirana Elda Kruja, Aliu duket se do t’i revanshohet nga distanca ish-shefit të tij.

Qysh në gusht, NACIONALE pati paralajmëruar se Aliu i kishte hyrë pazarit për të marrë një pozitë në Qeverinë e Ramës kur kjo po hynte në procesin e ristrukturimit.

Falë lidhjeve të krijuara gjatë detyrës së tij si ministër, Aliu tashmë i është sugjestionuar Ramës si ‘kosovari patriot’ që mund t’i kundërvihet partisë së braktisur.

Edhe Rama nuk kishte e kishte huqur rastin që t’ia përkëdhelte sedrën ministrit të Kurtit në atmosferën tejet të tendosur të dy kabineteve qeveritare.

Tani kur bëhen gati një vit kur Aliu është duke u hetuar për keqpërdorime milionëshe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), NACIONALE ka mësuar se ai i është vetëofruar Prokurorisë Speciale si bashkëpunëtor me gjasmë për të implikuar edhe vetë Kurtin.

Dashuri e urrejtje socialiste: PS dhe VV

Më 2016, Aliu ishte njëri nga dhjetëra drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që përfituan nënshtetësi shqiptare me dekret të ish-presidentit të ndjerë, Bujar Nishani.

Derisa pajisja me pasaportën shqiptare mbetet ëndërr e parealizuar për mijëra shqiptarë si pasojë e burokracive të pakalueshme e dekurajuese, krerët e Vetëvendosjes kishin përfituar nga ‘procedurat e përshpejtuara’.

Kjo, në të vërtetë, ishte fryt i ditëve kur Partia Socialiste kultivonte simpati të hapur për Vetëvendosjen dhe Kurtin.

Reputacioni i Aliut, si njëri nga ‘etërit themelues’ të VV-së, pësoi plasaritjen e parë kur u mësua se ai bleu dy banesa në lagjen elitare “Marigona Hill”.

Nga formulari në formular, që publikohen përvitshëm nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pasuria e tij shfaqej e rritur eksponencialisht me të hyra të shumëfishta si ministër, si ish-deputet, e, madje, edhe si ligjërues në një kolegj privat.

Sa kohë qëndroi në krye të Ministrisë me një buxhet prej 265 milionë eurosh, ai u bë me gisht si njëri nga ministrat me performimin më të dobët në Qeverinë e Kurtit.

Nga ‘treni i shpejtë’ në Fushë Kosovë te ikja nga Kurti

Ato që u trumpetuan si vepra kapitale në takëmin elektoral të VV-së – Autostrada e Gjilanit, rruga Prishtinë-Besianë dhe Prizren-Tetovë si më të rëndësishmet prej tyre – përfunduan papërjashtimisht të parealizuara e të keqmenaxhuara.

Mbi këtë trashëgimi dështimesh, Aliu ndonjëherë nuk kishte ngurruar edhe të premtonte “tren të shpejtë” nga Prishtina në Fushë Kosovë. Kur gazetarët i dukeshin bezdisës me pyetjen për autostradën e papërfunduar të Gjilanit, ai i binte shkurt: “Përtoj me folë”.

Në MMPHI, ai shënoi rekord si njëri nga ministrat me qëndrimet më të shpeshta jashtë vendit në emër të konferencave, samiteve e takimeve me të huaj — brenda VV-së kjo ishte interpretuar si një mënyrë e Aliut për t’i bishtnuar takimeve jo të lehta me Kurtin konfliktuoz.

E kush na qenka Autoriteti Portual i Durrësit? Një ‘ABC’ për drejtorët e interesuar

Si organ drejtues i portit të Durrësit, Autoriteti Portual Durrës (APD) është person juridik publik që funksion në bazë të Ligjit 9130 për Autoritetin Portual.

Me të drejtën e administrimit të pronës shtetërore, ky Autoritet e mbikëqyr funksionimin ditor të portit dhe terminaleve të tij.

Në mesin e detyrave të tij është edhe lëshimi i lejeve dhe kontrollimi i veprimtarive të operatorëve privatë dhe koncesionarëve.

Po ashtu, APD-ja është i ngarkuar me detyrën për zbatimin e Master Planit për Zhvillimin e Portit, duke zbatuar edhe kodin ISPS (International Ship and Port Facility Security).

APD-ja, ku mund të jetë drejtor Liburn Aliu, është përgjegjës për vendosjen dhe mbledhjen e tarifave të portit, duke vendosur lidhje me kompani anijesh e investitorë të huaj.

Në anën tjetër, porti i Durrësit, sipas të dhënave më të përditësuara, mban rreth 90 për qind të shkëmbimit detar të vendit.

Duke qenë se limani i Durrësit bart rreth 53 për qind të tregtisë ndërkombëtare, aty kalon një vëllim tregtar në vlerë prej 6.3 miliardë eurosh.

Në anën tjetër, për harkun kohor mes viteve 2018 dhe 2022, në kompleksin portual Durrës – Porto Romano janë përpunuar rreth 26.5 milionë tonë mallra ose 93.8 për qind e gjithë sasisë së mallrave të përpunuara në Shqipëri përmes rrugësh tregtare.

Përveç pozicionit të lakmuar strategjik, porti i Durrësit ka përjetuar rrokaqiellëzim zhvillimi kur u bë porti kryesor për kalimin e mallrave edhe për vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. /Nacionale/