VIDEO/ Largohet nga morgu trupi i 17-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në aksidentin në Vlorë
Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës së kaluar në Vlorë, ku 17-vjeçari Leandro Shametaj humbi jetën tragjikisht. Sipas dëshmitarëve, makina që e përplasi po lëvizte me shpejtësi të madhe, dhe përplasja rezultoi fatale, duke lënë trupin e viktimës të dëmtuar rëndë.
Pas ngjarjes, trupi i të riut u dërgua në morgun e spitalit të Vlorës, ku familjarët e tij përballën me një situatë të paprecedentë, mjeku ligjor nuk ka shkuar për të kryer ekspertizën, ndërsa trupi u lejua të largohej vetëm pas 9 orësh pritjeje nga familajrët.
Gjyshi i të ndjerit, i dërrmuar nga dhimbja, foli për SYRI TV:
“Unë jam gjyshi i të ndjerit. Djali i vajzës time u aksidentua mbrëmë në orën 12 të natës dhe u soll në morgun e spitalit të Vlorës. Kemi rreth 8 orë këtu dhe nuk vjen asnjë mjek për të bërë veprimet e nevojshme. Nuk e dimë çfarë shteti është ky, shtet që nuk punon. Rrinë 30 policë këtu e askush nuk merr asnjë masë për mjekun ligjor. Të vij unë e të marr kufomën pa ekspertizë? Një makinë ma vrau djalin me 220 km në orë dhe asnjë polic nuk ishte në vend. Ky nuk është shtet, është turp!”
Familjarët kërkojnë drejtësi dhe transparencë, duke theksuar se vonesa e autoriteteve dhe indiferenca ndaj jetës së një të riu të pafajshëm është e papranueshme.
Çdo minutë pritjeje ka shtuar dhimbjen e tyre, ndërsa qytetarët e Vlorës shprehin shqetësim për mënyrën se si shteti trajton raste emergjente dhe sigurinë e qytetarëve.