Shqipëria mes fituesve të programit ‘Expandere Conscientiae Lumen’

Nga Alba Kepi 

Elon Musk dhuron 1 milionë dollarë për ruajtjen e trashëgimisë romake.

Në një ceremoni të mbajtur në Bashkinë e Romës, janë shpallur 11 projektet fituese të programit ndërkombëtar “Expandere Conscientiae Lumen” (ECL), të promovuar nga Ancient Rome Live dhe American Institute for Roman Culture (AIRC), me mbështetjen së Musk Foundation, i cili ka dhuruar 1 milion dollarë për ruajtjen e siteve arkeologjike dhe zhvillimin e trashëgimisë dxhitale të Romës së Lashtë në mbarë botën.

“Këto projekte mishërojnë shpirtin e bashkëpunimit dhe krijimtarisë që kemi imagjinuar në momentin e nisjes së nismës ECL,” deklaroi Darius Arya, Drejtor i American Institute for Roman Culture.

“Ato tregojnë se si teknologjia, kërkimi shkencor dhe pasioni mund të bashkohen për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët të lashtësisë për brezat e ardhshëm.”

 Ndër projektet e përzgjedhura, është projekti nga Shqipëria, me titull:

“Conservation of the Religious Monuments in Butrint World Heritage Site”, zbatuar nga Butrint Management Foundation.

Ky projekt synon ruajtjen, restaurimin dhe promovimin e monumenteve fetare në Parkun Arkeologjik të Butrintit, një pasuri e mbrojtur nga UNESCO dhe një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Përmes mbështetjes së Musk Foundation, projekti do të forcojë kërkimin shkencor, konservimin dhe ndërgjegjësimin ndërkombëtar për rëndësinë historike të Butrintit në kuadër të botës romake dhe mesdhetare.

 Universitete të njohura si La Sapienza e Romës, Universiteti i Ferrarës dhe Universiteti i Sasarit, së bashku me institute dhe organizata nga Afrika e Veriut, Ballkani dhe Lindja e Mesme, janë përfshirë në këtë nismë që bashkon arkeologjinë, inovacionin dhe teknologjinë për të mbrojtur historinë e përbashkët të qytetërimit romak.

Lista e plotë e projekteve fituese përfshin:

•             Ripa Puteolana – Kërkime nënujore në portin e lashtë të Puteolit

•             Bringing Color to Pompeii – Rikthimi i ngjyrave origjinale të qytetit antik

•             DIGITEX-ROMA – Inovacion digjital dhe arkeometrik për trashëgiminë tekstile të Perandorisë Romake

•             Marcus Aurelius Column Digital Scan – Skanim digjital i kolonës së Mark Aurelit në Romë

•             Aquinum: Speleology and Archaeology – Studimi i sistemeve hidraulike të teatrit romak

•             The Cyrene Conservation Initiative – Ruajtja e qytetit antik të Kyrenës (Libi)

•             Digital Heritage in Jordan – Dokumentim dhe ruajtje e trashëgimisë greko-romake

•             Promoting Roman Archaeological Heritage in Morocco – Promovimi i trashëgimisë romake në Marok

•             Theodosian Palace of Stobi – Projekt konservimi në Maqedoninë e Veriut

•             The Municipium of Numluli – Kërkime dhe restaurime arkeologjike në Tunizi

•             Conservation of the Religious Monuments in Butrint – Projekti shqiptar për ruajtjen e monumenteve fetare në Butrint

Këto nisma do të ndihmojnë në zgjerimin e kërkimit për trashëgiminë romake, duke lidhur antikitetin, traditën, teknologjinë dhe edukimin, dhe duke siguruar që historia e përbashkët mesdhetare të ruhet dhe të përcillet për brezat e ardhshëm.