Kur pushteti ha bijtë e vet
Thirrja në SPAK e Belinda Ballukut vërtetoi se, pas dymbëdhjetë vitesh pushtet, regjimi i ndërtuar mbi kontrollin e plotë të një njeriu të vetëm ka filluar të hajë vetveten. Siç duket, në mungesë të një trashëgimtari të natyrshëm, Edi Rama është i detyruar të sundojë mbi rrënojat e njerëzve që vetë i ka ngritur. Askush nga ministrat dhe drejtorët e tyre të linjës s’e kuptoi se pushteti i gjatë nuk shkatërron vetëm kundërshtarin politik, vendin dhe shtetin, por në fund të fundit edhe ata vetë. Nëse të parët janë thjesht kolateral i një ambicie të madhe për pushtet të pafundmë, këta të dytët janë viktimat më tragjike të këtij pushteti pervers, i cili, duke qenë i tillë, nuk kursen as bijat dhe as bijtë e vet.
Pushteti i kryeministrit Rama është kujdesur deri në detaje jo vetëm për thirrjet e obobujshme në SPAK, por edhe për arrestimet, në dashtë të bashkëpunëtorëve, apo në dashtë edhe të kundërshtarëve politikë - t’i paraqesë si produkte vetëm të drejtësisë së re. Është me të vërtetë për t’u habitur se si mund të ndodhë që njerëzit dhe bashkëpunëtorët më të besuar të kryeministrit shndërrohen në subjekte të drejtësisë dhe, vetëm ky i fundit jo. Siç duket, drejtësia mund të sulmojë deri në njëfarë pike, por s’ka aspak guxim të shkojë më lart, në majë të piramidës, fiks aty ku është edhe arkitekti i këtij sistemi që është ngritur.
Pothuajse të gjithë e kanë vënë re shkëputjen dyvjeçare të pushtetit të Edi Ramës nga dinamikat e pushteteve të tjera. Për shembull, është kuptuar apo ka rënë në sy, ndoshta më shumë se ç’duhet, ndërprerja e takimeve me përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara. Rasti më flagrant i një takimi apo ndonjë poze do të kishte qenë Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, e injoroi plotësisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën; njeriun që, prej dymbëdhjetë vitesh, e ka shitur imazhin e vet si më proamerikani në Ballkan. Kjo heshtje, me shumë gjasa, fsheh një paralajmërim të rëndësishëm: izolimi i Shqipërisë është pasojë direkte e zgjedhjeve dhe praktikave të Edi Ramës. Një vend që për vite ka jetuar mbi iluzionin e aleancës së pakushtëzuar, sot ndodhet i vetmuar, jo për faj të vendeve partnere, por për faj të tij. Trafiqet, boshllëku institucional, kultivimi i klientelizmit politik, pabarazia, krimi i organizuar; të gjitha këto janë zgjedhjet e një arkitekti që ka vendosur interesin personal mbi interesin kombëtar.
Asnjë pushtet në Shqipëri nuk i ka rezistuar dot ndikimit të dinamikave politike të qeverisjeve partnere. Sa herë ka ndryshuar pushteti në Shqipëri, kjo ka ardhur si pasojë e ndryshimit të pushtetit në partnerët tanë strategjikë ose nga ndryshimet e raporteve gjeopolitike në botë. Kjo është politika në Shqipëri, një thërrime e vogël që kapërdihet shumë shpejt. Nuk mjafton deliri se ne jemi vend i shqiponjave e të tjera si këto. Pushteti në Shqipëri ka qenë gjithmonë i varur nga qeverisjet e vendeve partnere. Janë rrokullisur qeveritë andej, tak-fak, janë rrëzuar edhe liderët këtej. A nuk ndodhi fiks kështu? Kur në Moskë erdhi Gorbaçovi me reformat e tij, u shemb edhe modeli socialist fshataresk në Shqipëri, pas 45 vitesh izolim. Me ardhjen e së majtës së Klintonit në SHBA, qeveria e Berishës u trondit nga kriza e piramidave dhe revoltimi popullor i vitit 1997. Më pas, gjatë administratës së Bushit të Ri, Fatos Nano u rrëzua nga pushteti dhe vendi u rikthye nën drejtimin e Sali Berishës në vitin 2005.
Kaq e ka pushteti në Shqipëridhe kjo është filozofia e tij në vendin tonë të vogël. Një qeverisje, sado të mundohet të kapet edhe pas fijes së barit për të qëndruar në pushtet, është plotësisht e varur nga dinamikat gjeopolitike që ndodhin sot në botë, po ashtu edhe nga ndryshimet e pushteteve në vendet partnere. Me humbjen e demokratëve në SHBA dhe ardhjen për herë të dytë të presidentit Trump në pushtet, Edi Rama nuk mund të investohet më duke shitur imazhin e tij si lideri më proamerikan në Ballkan. Nuk mund ta bëjë këtë jo vetëm sepse është një prej miqve më të ngushtë të George Sorosit; nuk mund ta bëjë as për shkak se ka korruptuar një ish-agjent të FBI-së, duke cenuar seriozisht sigurinë e brendshme amerikane; por edhe sepse nuk përfaqëson asnjë vlerë që ka dhe promovon e djathta amerikane në botë. Edi Rama është e kundërta e kësaj filozofie.
Për t’u rikthyer edhe njëherë tjetër te “thembra e Akilit”, te arrestimet apo thirrjet në SPAK, te rezultatet e të ashtuquajturës “drejtësi e re”: ajo u miratua në vitin 2016 me mbështetjen e fortë të SHBA-së dhe BE-së, ndërsa ishte një projekt i financuar dhe i asistuar teknikisht nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur” i George Sorosit. Raportet publike të fondacionit flasin për investime në procesin e Vettingut, trajnime për gjyqtarë e prokurorë dhe lobim ndërkombëtar për paketën kushtetuese. Vetë Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë qenë përfituesit kryesorë politikë të kësaj reforme, duke e shitur si “kryereformën” e mandatit të tyre. Pas nëntë vitesh, reforma në drejtësi, ajo që duhej të mbrohej si simbol i shtetit ligjor, fatkeqësisht po shërben më shumë si arkitekturë e pushtetit të Edi Ramës, ku çdo hallkë e saj ka konsoliduar kontrollin mbi individë dhe institucione, ndërsa kryeministri, pasi godet në mënyrë selektive, e paraqet atë si rrezik që mund ta godasë edhe vetë qeverisjen e tij.
Me drejtësinë e vjetër, fillimisht qëlloi në “lule të ballit” Saimir Tahirin; politikanin që dukej se do të ishte pasuesi i tij natyral. Ishte i artikuluar, me energji dhe me një dozë të sinqertë ambicieje politike. Për disa vite krijoi iluzionin se brenda qeverisë ekzistonte dikush që mund të mendonte ndryshe nga kryeministri. Por ylli në ngjitje u shua krejt papritur. U shua duke mos guxuar të flasë dhe duke u bërë kurban i vetëdijshëm i një politike të mbrapshtë që ndoqi vetë Edi Rama me kanabizimin e vendit nga veriu në jug, duke prodhuar një varg të madh problemesh socialekonomike, që - për hir të së vërtetës - do të duan disa dekada për të humbur gravitetin e tyre në shoqëri.Më pas në skenë u shfaq Erion Veliaj. Ai erdhi me zellin e një nxënësi që kërkon të fitojë duartrokitjet e mësuesit. U përpoq të ndërtojë kultin e vet, duke e shndërruar Tiranën në një pasqyrë të pushtetit që përzien estetikën me propagandën. Por me kalimin e viteve, ai mbeti peng i të njëjtit model që shkatërroi Tahirin: frika për të dalë nga hija e “Njëshit”. Një kryebashkiak që arrinte të administronte feudin e vet, por pa pasur aspak mundësi për t’u shndërruar në një simbol të një partie që s’pranon më simbole të tjera.
Dhe tani, në fundin e këtij cikli, në qendër të skenës është Belinda Balluku dhe aspak si pasuese e liderit, por si e goditura e fundit. Për shumë vite me radhë ajo u promovua si figura më e bindur e strukturës, si zëri i sigurt i vazhdimësisë. Por hetimet e SPAK-ut, në dirigjimin e arkitektit të kësaj strukture, po zmadhohen nga dita në ditë, duke e çarë përfundimisht maskën e qetësisë. Nuk është vetëm zv.kryeministrja e një qeverisjeje që po bie, është modeli i Edi Ramës që është shkatërruar. Ai po përpiqet të zgjedhë viktimat, të zgjedhë momentet, ndërsa teatrin e krijuar e paraqet si betejë për interesin publik. Rama e paraqet veten si viktimë të kostos së ambicies pa kufij të të përzgjedhurve të tij, të cilët, në fshehtësi të plotë, prej gati dymbëdhjetë vitesh vazhdojnë e hanë dardha pas shpinës së tij.
Në fakt, emrat që janë “peshkuar” nga drejtësia e ashtuquajtur e re, më shumë sesa e kanë dëmtuar qeverisjen e tij, kanë shërbyer si instrumente për të konsoliduar pushtetin e tij pervers. Kështu Edi Rama manipulon perceptimin e opinionit publik, të medias, të aktivistëve dhe të intelektualëve të pakët dyshues në këtë vend, por manipulon edhe perceptimin e ndërkombëtarëve, të cilët, duke qenë autorë deri diku të kësaj masakre që po ndodh me ligj në Shqipëri, janë më shumë se kushdo tjetër të interesuar që kjo reformë që u bë në vend të ngjallë besim dhe shpresë te qytetarët edhe pse janë plotësisht të vetëdijshëm se drejtësia në vend nuk do të vijë më kurrë. Iluzioni i saj po, sepse ajo çfarë u realizua nuk është asgjë tjetër përveçse një prej mekanizmave më perversë të një individi për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.