Terrori sekret i Putinit në Gjermani: Ja si i rekruton Rusia agjentët e saj nëpërmjet Telegramit

Shërbimet ruse të inteligjencës po shfrytëzojnë rrjetet sociale, veçanërisht Telegramin, për të rekrutuar persona të thjeshtë në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, të cilët kryejnë akte të vogla sabotimi, mbikëqyrjeje apo provokimi. Paralajmërimi u bë nga kreu i inteligjencës gjermane, Martin Jäger, gjatë një seance dëgjimore në Bundestag, ku u tha se mjafton një pëlqim apo klikim në kanalet pro-Kremlinit që përdoruesit të përfundojnë në radarin e Moskës.

Sipas Jäger, Evropa po kalon një periudhë “paqjeje të ftohtë akulli” që mund të kthehet në çdo moment në konfrontim të hapur me Rusinë. Ai theksoi se shtetet evropiane duhet të përgatiten për përshkallëzime të mëtejshme. Deputeti gjerman i të Gjelbërve, Konstantin von Notz, kërkoi nga qeveria që të marrë seriozisht paralajmërimet e inteligjencës dhe të reagojë ndaj rreziqeve të reja hibride me masa konkrete ligjore.

Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia ka intensifikuar aktivitetet e saj hibride ndaj Perëndimit – nga prerja e kabllove nënujore e deri te aktet e spiunazhit dhe sabotimit. Pjesë e kësaj strategjie janë dhe të ashtuquajturit “agjentë të nivelit të ulët”, persona që rekrutohen përmes kanaleve pro-ruse në Telegram në këmbim të pagesave të vogla për detyra si fotografimi i bazave ushtarake apo ndezja e zjarreve.

Një nga kanalet më aktive në këtë fushatë është ai i blogeres gjermane Alina Lipp, e sanksionuar nga BE-ja, e cila përhap narrativat pro-Kremlinit në gjermanisht për mbi 175 mijë ndjekës. Hetime të portalit Correctiv kanë zbuluar një rrjet të gjerë komunikimi ruse-gjermane në Telegram që përforcon propagandën e Moskës dhe pengon shpërndarjen e pikëpamjeve alternative.

Eksperti ukrainas i sigurisë kibernetike Kostyiantin Korsun paralajmëron se shërbimet ruse përdorin programe të posaçme për të analizuar mijëra kanale dhe për të ndërtuar profile të detajuara të përdoruesve bazuar në aktivitetin e tyre online. “Një klikim i vetëm mund të mjaftojë që dikush të shënohet si simpatizant apo bashkëpunëtor i mundshëm,” tha ai për Euronews.

Telegram, nga ana e saj, mohoi akuzat se bashkëpunon me inteligjencën ruse dhe theksoi se nuk ka dorëzuar kurrë mesazhe private të përdoruesve. Megjithatë, hetime nga OCCRP tregojnë se infrastruktura teknike e aplikacionit lidhet me kompani që kanë pasur bashkëpunime me institucione shtetërore ruse, përfshirë FSB-në.

Ekspertët gjermanë paralajmërojnë se kufizimet ligjore në Gjermani e bëjnë të vështirë ndjekjen e këtyre aktiviteteve në Telegram, ndryshe nga agjencitë e inteligjencës së vendeve të tjera që kanë kompetenca më agresive në hapësirën kibernetike. Siç tha një prej tyre, “shërbimi gjerman i inteligjencës mbetet vegjetariani midis agjencive të spiunazhit në botë.”/ Euronewsw - Syri.Net