Medon Berisha shkëlqen në Itali, përfshihet në formacionin e javës përkrah Luka Modric-it
Medon Berisha po konfirmon gjithnjë e më shumë potencialin e tij në një prej kampionateve më konkurruese të Europës. Edhe pse nuk është ende titullar i padiskutueshëm në Kombëtaren shqiptare të Sylvinho-s, mesfushori i Lecce-s po dëshmon se është në rritje të vazhdueshme dhe se meriton më shumë hapësira.
Në ndeshjen e fundit të javës në Serie A, ku Lecce u mund nga Udinese me rezultatin 3-2, Berisha ishte ndër më të spikaturit në fushë. Ai realizoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit, duke treguar saktësi dhe teknikë të lartë, ndërkohë që gjatë gjithë ndeshjes shfaqi qetësi, inteligjencë taktike dhe prani të fortë në mesfushë.
Performanca e tij mbresëlënëse u reflektua edhe në vlerësimet pas ndeshjes: platforma “SofaScore” i dha notën 8, duke e renditur mes më të mirëve të javës. Falë këtij vlerësimi, Berisha është përfshirë në formacionin ideal të javës së 8-të në Serie A, përkrah emrave të mëdhenj si Luka Modric, André-Frank Zambo Anguissa dhe Alexis Saelemaekers.
Ky është një tjetër konfirmim për talentin e 20-vjeçarit shqiptar, që me paraqitjet e tij po fiton gjithnjë e më shumë respekt në Itali. Me fanellën numër 10 të Lecces mbi shpinë, Berisha po tregon se nuk është rastësi që klubi i ka besuar një rol kaq të rëndësishëm.