Barcelona 'lëpin' plagët pas ‘El Clásico’-s: Laporta takohet me Yamal-in dhe zhvillon bisedë me trajnerin Flick

Pas humbjes në “El Clásico” ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabéu”, në kampin e Barcelonës mbizotëron zhgënjimi. Disfata jo vetëm që ka sjellë hidhërim dhe zemërim te lojtarët, por edhe ka hapur një hendek prej pesë pikësh me rivalët madrilenë që kryesojnë LaLigan. Kjo është humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit për skuadrën e Hansi Flick, pas atyre kundër PSG-së dhe Seviljes.

Në klub ka mbetur gjithashtu një ndjenjë pakënaqësie për mënyrën se si u trajtua Lamine Yamal nga lojtarët e Real Madridit, përfshirë edhe Carvajal-in, shok i tij të përfaqësuesja spanjolle, gjatë ndeshjes. Megjithatë, në ambientin ‘blaugrana’ ekziston bindja se ekipi mund të kishte marrë një rezultat ndryshe, pasi, sipas tyre, Reali nuk dominoi në fushë.

Sot, sipas gazetës ‘Sport’, presidenti Joan Laporta ka vizituar qendrën stërvitore të Barcelonës për të takuar lojtarët dhe trajnerin Flick. Shumica e lojarëve të ekipit ishin larguar pas seancës së rikuperimit pas ndeshjes, por Laporta gjeti aty disa prej tyre, si Ronald Araújo dhe Lamine Yamal, me të cilët shkëmbeu disa fjalë.

Më pas, presidenti zhvilloi një bisedë me Hansi Flick-un dhe drejtorin sportiv Deco, duke përcjellë një mesazh qetësie dhe besimi të plotë. Laporta i siguroi se nuk ka vend për panik: sezoni është ende në fillim dhe diferenca prej pesë pikësh mund të rikuperohet, ashtu si ndodhi sezonin e kaluar kur ishin shtatë.

Sa i përket Ligës së Kampionëve, Barcelona ndodhet në pozicion të mirë pavarësisht humbjes ndaj PSG-së, me 6 pikë në 9 të mundshme. Klubi mbetet i bindur se projekti i Flick është i duhuri, dhe i vetmi shqetësim aktual lidhet me disa probleme fizike që ekipi duhet t’i kalojë sa më shpejt.