Blushi: SPAK, instrument i Edi Ramës për të mbrojtur aferat korruptive, hetimet nuk arrijnë te kryeministri

Gjatë seancës plenare të sotme, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, akuzoi SPAK-un se është kthyer në një instrument të Edi Ramës për të mbrojtur interesat e tij dhe për të mbuluar aferat korruptive.

Blushi denoncoi se ndërkohë që SPAK raporton për “suksese” imagjinare, hetimet për vjedhjet e fondeve publike, koncesionet korruptive, kanabizimin e vendit, portin e Durrësit, Aeroportin e Vlorës dhe tenderët klientelistë nuk kanë përparuar, duke i lënë qytetarët të pambrojtur dhe duke mos sjellë ndëshkim për përgjegjësit kryesorë.

Sipas Blushit, çdo hetim real për korrupsionin në nivel të lartë përfundon duke shmangur një emër: Edi Rama, ndërsa rastet e ish-presidentit Ilir Meta dhe të vartësve të qeverisë tregojnë përdorimin politik të drejtësisë dhe izolimin e kundërshtarëve para zgjedhjeve.

Fjala e plotë:

Në regjimet parti-shtet, si ky i Edi Ramës (siç e konstatoi edhe OSBE-ODIHR) korrupsioni, krimi dhe drejtësia nuk konsiderohen armiq, por aleatë që bashkëpunojnë sipas parimit: “Të gjithë për Një, dhe Një për të gjithë.”

Është iluzion tragjik të shpresosh se në një regjim ku çdo institucion kontrollohet nga një dorë e vetme, vetëm pushteti, nënkupto korrupsioni, është i centralizuar, ndërsa drejtësia jo. 

Përkundrazi, regjimet përdorin drejtësinë si mjet dhune, shantazhi e frikësimi pikërisht për të legjitimuar arbitraritetin e tyre.
Kjo ka ndodhur edhe me SPAK-un. Një armë në duart e Edi Ramës për të asgjesuar pluralizmin politik. 
Një patericë që mban në këmbë regjimin dhe që sot u shfaq në formë komike, si violinist i Titanikut, që teksa anija po mbytet nga pesha e rëndë e korrupsionit skizofrenik dhe po fut ujë nga të gjitha brimat e hapura nga krimi i organizuar, luajti sot melodinë e turpit të mbulimit të aferave të Edi Ramës, për të inkurajuar pikërisht vijimin e vjedhjeve të tij dhe për llogari të tij.

Për çfarë suksesesh të SPAK mund të flasim kur vijojmë të jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për ryshfet? 
Ndërsa Dumani raportonte sot për sukseset imagjinare kundër krimit dhe korrupsionit, 90 mijë euro u grabitën nga inceneratori që nuk ekziston. 95 mijë euro nga tigrat rrangallë të Bangladeshit në Vlorë.

Ndërkohë asnjë fjalë për se ku ndodhen hetimet për kanabizimin e Shqipërisë, për koncesionet korruptive, për portin e Durrësit, për vjedhjen e fondeve të IPARD, për Eco-Park, për aeroportin e Vlorës, për AKSHIN, për miliardat e zhdukura të rindërtimit, për rrugët e florinjta, për aferën McGonigal, për mijëra tendera sekretë dhe për fuqizimin e krimit të organizuar apo takimet e përfaqësuesve më të lartë të karteleve të drogës në zyrën e Kryeministrit.
Pse? Sepse çdo hetim, nëse do të kishte realisht, të çon vetëm te një emër: Edi Rama.

Afërmendsh kur shtrohet çështja te kundërshtari politik, hetimet e drejtësisë së regjimit të Ramës ecin me shpejtësi të lartë.
Rrëmbimi kriminal dhe burgosja politike e Ilir Metës është dëshmia më tronditëse e kapjes për fyti dhe shpërfytyrimit politik të drejtësisë, e shkallmimit të shtetit ligjor, e shkeljes flagrante të ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ish-Presidenti i Republikës, mbahet prej më shumë se një viti në izolim ekstrem, pa prova dhe pa fakte penale, jo sepse ka vjedhur, jo sepse ka abuzuar me detyrën, jo sepse ka firmosur ndonjë akt të paligjshëm, por sepse Edi Rama urdhëroi SPAK nga tribuna e PS që ta rrëmbente dhe ta izolonte politikisht përpara zgjedhjeve farsë të 11 Majit.
E rëndë është se arrestimi i tij është bazuar mbi një ligj të shfuqizuar, që nuk ekzistonte prej 4 vitesh.
Nëse një ish-president rrëmbehet dhe mbahet në izolim pa prova, çdo qytetar i zakonshëm është i pambrojtur përballë represionit në rritje të pushtetit.
Ndërkohë gjakderdhja financiare vijon e pashqetësuar.

Edhe marrja e pandehur e Belinda Ballukut, nëse kjo do ndodhë, nuk ka asnjë kuptim për interesin publik, është shumë e vonuar dhe pa efekt real. 
Siç provoi rasti Veliaj, çdo kontratë abuzive e firmosur prej saj do vazhdojë të rrjepë taksat e shqiptarëve. Punimet me çmime marramendëse, koncesionet fiktive dhe tenderat klientelistë do vijojnë pa u ndalur.

Pse?

Sepse për Altin Dumanin përgjegjësia penale trajtohet si statistikë, ndërsa dëmi ekonomik duhet të mbetet i paprekur.
Dhe të gjithë e dinë Pse?-në.

Sepse të gjitha aferat të çojnë vetem te një emër: Edi Rama. 
Sa kohë që taksat e qytetarëve do vidhen për llogari të tij, çdo “marrje e pandehur” nga PS është thjesht fasadë.
Peshku që qelbet nga koka nuk pastrohet duke larë luspat.

Vetëm kur drejtësia të guxojë të marrë Ramën të pandehur, mund të thuhet se ka nisur vërtet lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
Edhe pse ndoshta atëherë do të jetë tepër vonë.