SYRI TV/ Shkambi dhe Banush Koxhaj lihen në burg, Shkambi: Ngushëlloj familjen e kolegët e gjyqtarit

SYRI TV

Gjon Shkambi është kthyer në vendin e krimit ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja për të kërkuar lirimin nga qelia. Togat e zeza rrëzuan kërkesën e tij dhe të punonjësit të sigurisë së gjykatës Banush Koxhaj. Shkambi shprehu ngushëllime për familjen dhe kolegët e gjyqtarit, ndërsa përjashtoi veten nga përgjegjësia. Madje 56-vjeçari tregoi para togave të zeza se ishte në konflikt me vëllezërit, dhe se nipi i tij kishte një arsye që e ndiqte pas nëpër gjyqe.
 

Gjon Shkambi i vënë nën akuzë për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka dalë të hënën e 27 tetorit përpara të njëjtës gjykatë për të kërkuar lirimin nga qelia, kërkesë e cila iu rrëzua nga togat e zeza. I njëjti vendim u dha edhe për punonjësin e sigurisë së gjykatës Banush Koxhaj, që sipas Apelit do të vijojë të qëndrojë prapa hekurave për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë autori i krimit Elvis Shkambi nuk kishte bërë ankim të masës arrest në burg, nën të cilën ndodhet prej 6 tetorit. Gjon Shkambi deklaroi në sallën e gjyqit pasi shprehu ngushëllime për vrasjen, se nuk dinte mbi veprimet që do kryente djali i vëllait të tij, teksa për herë të parë, foli edhe për konfliktet brenda familjes dhe arsyet pse sipas tij nipi e shoqëronte nëpër gjyqe.

“I shpreh ngushëllime familjes së gjyqtarit Kalaja dhe kolegëve të tij. Nuk kam patur dijeni që nipi im të ketë patur armë, ta dija do e kisha parandaluar. Unë kam konflikte me vëllezërit e mi ndaj ma kanë vënë pas nëpër gjyqe nipin tim Elvisin pasi dyshonin se t’u bëja dredhira. Nuk kam pasur ndërmend ti zgjidhja me dhunë këto gjëra pasi kam 30 vjet që kam zgjedhur rrugën gjyqësore. Nëse do kisha zgjedhur dhunën, do e kisha bërë më përpara”.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ndodhi më 8 tetor të këtij viti në sallën e gjyqit, pasi ai shpalli një vendim kundër pretendimeve të familjes Shkambi mbi një çështje pronësie. Të plagosur mbetën nga të shtënat me armë zjarri edhe babë e bir Ragip e Ervis Kurtaj, që ishin palë kundërshtare me Gjon Shkambin në gjyq.