SYRI TV/ Belinda Balluku me akuzë në Bukuresht, duhej të paraqitej në SPAK të hënën

Belinda Balluku refuzoi të paraqitej këtë të hënë në orën 10 në Prokurorinë e Posaçme, ku ishte thirrur për t’i komunikuar akuzat për shkelje të barazisë në tendera, duke përdorur si justifikim axhendën në Bukuresht. Zv. Kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ishte thirrur bashkë me avokatin për t’i komunikuar akuzat lidhur me hetimet për aferën me tenderin për supervizimin e Tunelit të Llogarasë. Ministrja publikoi një video në rrjetet sociale pasditen e të hënës duke komentuar axhendën e saj në Bukuresht, por deri më tani nuk ka bërë asnjë koment për akuzat.

Zv. Kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka refuzuar thirrjen e SPAK për t’u paraqitur pranë organit hetues, ku do t’i komunikohej akuza për abuzimet me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Si justifikim për mosparaqitjen e saj, ajo ka përdorur axhendën e vizitës në Bukuresht. Por mësohet se SPAK ka regjistruar emrin e Belinda Ballukut në regjistrin e veprave penale dhe ka nisur komunikimin e akuzave për disa vartës të saj që kanë marrë pjesë në procedurat e tenderit me vlerë 2 milion euro për supervizimin e Tunelit të Llogarasë.

Ndërkohë, SPAK ende nuk ka një përgjigje për tenderin që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë 50 milion euro për këtë vepër infrastrukturore. SPAK ka dyshime se numri dy i qeverisë ka kryer veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, dhe thirrja e saj është bërë nga prokurori Dritan Prençi, që ka hetuar dhe marrë të pandehur në të shkuarën disa vartës të Ballukut, përfshirë dy drejtorë të ARRSH-së dhe zyrtarë që kanë marrë pjesë në procedura të prokurimeve publike.

Ishte pikërisht telefoni i një prej drejtorëve, Evis Berberit, dhe bashkëshortes së tij, që zbuloi skemat korruptive, të cilat çuan organin hetues deri tek emri i ministres. Kjo e fundit, në orët e pasdites, ndau një video në rrjetet sociale ku thotë se ndodhet në një takim të nivelit të lartë në Bukuresht, teksa deri më sot nuk ka bërë asnjë koment mbi akuzat e SPAK.

Burime jozyrtare i thanë Syri Televizion se mes përfaqësuesve të Belinda Ballukut dhe stafit të SPAK ka pasur komunikime së fundmi, ku është vendosur që deri të hënën e ardhshme ajo duhet të paraqitet në Prokurori. Sipas procedurës, në rast refuzimi për herë të dytë, kryhet shoqërimi i saj i detyrueshëm.