Mjällby bën historinë, fiton titullin e parë dhe thyen rekordin e pikëve në kampionatin suedez

Mjällby po jeton një ëndërr të vërtetë dhe po vazhdon të shkruajë historinë e futbollit suedez. Pas festës së javës së kaluar për titullin e parë në historinë e klubit, skuadra ka arritur një tjetër sukses madhështor: me fitoren 2-1 ndaj Norrköping, ajo ka regjistruar 21 fitore në 28 ndeshje dhe ka vendosur rekordin absolut të pikëve në kampionatin suedez.

Me 69 pikë, dy javë para përfundimit të sezonit, Mjällby ka thyer rekordin e mëparshëm të Malmö-s nga viti 2010 (67 pikë), duke u bërë simboli i një sezoni të jashtëzakonshëm. Një skuadër që nisi kampionatin me synime modeste, por që përmes organizimit, stabilitetit dhe shpirtit të skuadrës, arriti të dominojë gjithë Allsvenskan, duke humbur vetëm një ndeshje gjatë gjithë kampionatit.

Pas triumfit, festa shpërtheu sërish në dhomat e zhveshjes, me shampanjë dhe thirrjen karakteristike të trajnerit që është bërë virale në Suedi. Megjithatë, Mjällby nuk ka ndërmend të ndalet këtu: me dy ndeshje të mbetura, kundër IKF Värnamo më 3 nëntor dhe Häcken më 9 nëntor, skuadra mund ta çojë rekordin e saj deri në 75 pikë, një shifër që s’është arritur kurrë më parë në historinë e Allsvenskan.

Ky sukses është fryt i punës, përkushtimit dhe besimit të ndërsjellë, duke e kthyer këtë klub të vogël bregdetar në një nga përrallat më frymëzuese të futbollit modern europian.