Këlliçi e pyet për 'garën fiktive' të aeroportit të Vlorës dhe skema '5B', Dumani: Çështja nën hetim paraprak
Gjatë seancës plenare, ku Kreu i SPAK po i përgjigjej pyetjeve të drejtuara nga deputetët, deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka ngritur akuza të forta për aferën e aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si një garë tërësisht fiktive dhe të miratuar me bekimin e qeverisë.
Këlliçi u ndal në faktet tronditëse që, sipas tij, tregojnë se në këtë proces janë përdorur kompani vetëm për të plotësuar kriteret ligjore, të cilat më pas janë tërhequr me miratimin e vetë qeverisë. Ai i kërkoi kreut të SPAK të japë llogari pse deri më tani nuk ka asnjë veprim ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila sipas dokumenteve të publikuara ka firmosur miratimin për tërheqjen e kompanisë fiktive turke, e vetmja që plotësonte kriteret e garës koncesionare.
“Çfarë duhet të ndodhë më shumë që të arrestohet Belinda Balluku? Kjo është firma e saj mbi miratimin e tërheqjes së kompanisë fiktive, ndërkohë që ajo kompani ishte e vetmja që plotësonte kushtet ligjore. Ndërkohë, një kompani që gjeneron miliona euro në vit, ka shitur gati gjysmën e aksioneve për vetëm 4,450 euro,”pyeti Këlliçi në Kuvend.
Deputeti i opozitës theksoi se skema e njohur si “5D”, e cila është zbatuar më herët në Bashkinë e Tiranës nga Erion Veliaj, duket se është përdorur edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por këtë herë si “skema 5B”.
“Rezulton se e njëjta skemë është aplikuar edhe nga Balluku dhe drejtorët e saj. A keni ju hetim për këtë skemë?” – pyeti Këlliçi, duke akuzuar SPAK-un për mungesë veprimi ndaj aferave të qeverisë.
Në përgjigje, Kreu i SPAK deklaroi shkurt se “çështja është nën hetim paraprak” dhe se nuk mund të japë detaje për hetime në proces.
Megjithatë, sipas burimeve dhe deklaratave publike, kompania që administron aeroportin e Vlorës, megjithëse gjeneron miliona euro në vit, ka shitur gati gjysmën e aksioneve për një shumë 4450euro, çka ngre pikëpyetje të mëdha mbi transparencën e këtij projekti strategjik.