Dumani pyetet për Irena Gjokën, kreu i SPAK kyç gojën: Është nën hetim!

Ndërsa drejtuesi i SPAK, Altin Dumani vijon seancën e pyetje-përgjigjeve në Kuvend, të bëra nga ligjvënësit e opozitës, këta të fundit nuk kishin si të mos e pyesnin për gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjoka.

Ishin deputetët e PD, Belind Këlliçi dhe Elda Hoti, që këmbëngulën për të ditur më shumë mbi hetimet për Gjokën, e cila vijon punën e pashqetësuar, duke dhënë vendime, madje edhe hakmarëse në disa raste ndaj opozitës.

Gjatë përgjigjes së tij, ashtu si në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani u mjaftua vetëm me: çështje nën hetim.

Si e tillë, theksoi ai, nuk mund të jepet më shumë informacion.

‘Kjo çështje është nën hetim paraprak. Është regjistruar në qershor 2025. Është në hetim praprak e si e tillë nuk mund të jap informacion. I takon prokurorit të konkuldojë nëse ka vepër penale, nëse po të ngrejë akuzë...S’mund të jap asnjë shpjegim e informacion, sa kohë që është çështje nën hetim’, u shpreh Dumani.