Tragedi në futbollin spanjoll, ndërron jetë në moshën 15-vjeçare talenti i Real Zaragozës

Real Zaragoza dhe i gjithë futbolli spanjoll janë në zi. Jorge Casado, një futbollist i ri i ekipit Cadete A, ka ndërruar jetë të hënën në moshën vetëm 15-vjeçare. I rritur në klub që fëmijë, Casado po zhvillonte sezonin e tij të gjashtë me fanellën bardhekaltër dhe kishte pasur tashmë mundësinë të debutonte me kategorinë më të lartë përpara vdekjes së tij tragjike dhe të papritur.

Klubi aragonez e bëri të ditur lajmin me një njoftim zyrtar, duke shpallur një ditë zie dhe duke pezulluar çdo aktivitet sportiv në Ciudad Deportiva, qendra stërvitore e klubit:

“Shumë i dashur brenda dhomave të zhveshjes, Jorge lë pas një boshllëk të pariparueshëm në skuadrën e tij dhe në të gjithë Real Zaragozën. Ciudad Deportiva, e tronditur nga kjo ngjarje e tmerrshme, do të ndalojë plotësisht aktivitetet. Ekipi i parë do të mbajë një minutë heshtje përpara stërvitjes. E gjithë familja Zaragozës i bashkohet dhimbjes së madhe të të afërmve të tij. Klubi u dërgon atyre gjithë dashurinë dhe forcën në këtë moment kaq të vështirë. Pusho në paqe, Jorge,” – thuhej në komunikatë.

I gjithë komuniteti i futbollit spanjoll është bashkuar në ngushëllimet për Real Zaragozën, duke e kujtuar të riun si një djalosh shembullor, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Një tragjedi që ka tronditur thellë klubin dhe qytetin, duke lënë pas një heshtje të rënduar nga dhimbja.