Balluku s'shkon në SPAK, Hoti: Në cilin vend demokratik drejtësia pret udhëtimin e ministres për të nisur hetimin?
Nga salla e Kuvendit deputetja e PD-së, Elda Hoti ka lëshuar akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë, si i kapur nga politika dhe që ka dështuar në misionin e tij për të sjellë barazi para ligjit. Gjatë fjalimit të mbajtur në seancë plenare, deputetja e PD-së Elda Hoti theksoi se reforma në drejtësi, e nisur me premtime të mëdha, ka prodhuar padrejtësi, duke mbrojtur të pushtetshmit dhe ndëshkuar të pambrojturit.
"Një reformë që po mbron të pushtetshmin dhe po ndëshkon të pambrojturin. Drejtësia që kemi sot nuk po pastron vendin nga krimi, por po përdoret si mjet për luftë klanesh.
Një klan bie për t'u ngritur një klan tjetër. Dhe ky nuk është sistem drejtësie, është simulim drejtësie, fasadë që në thelb ruan status quo-në e korrupsionit dhe pushtetit të lidhur me krimin.
Asnjë grup kriminal me ndikim të vërtetë politik nuk është goditur nga drejtësia shqiptare, zero.
Edhe ata që pretendohet se janë goditur, janë arrestuar pas ndërhyrjeve të shërbimeve partnere. Ndërkohë që këtu në Shqipëri vazhdojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre, të qetë dhe të paprekur, madje duke u bërë edhe investitorë strategjikë."
Nga foltorja Hoti akuzoi SPAK se vepron me shpejtësi kur bëhet fjalë për opozitën, por hesht përballë dosjeve që përfshijnë ministra të qeverisë dhe u ndal tek Belinda Balluku e cila sot nuk u paraqit në SPAK.
"Dhe sot, në këtë seancë kur flasim për drejtësinë, ministrja Belinda Balluku, e cila është person nën hetim nga SPAK-u, nuk paraqitet me justifikimin se ndodhet në një vizitë zyrtare.
Pyetja që ka çdo shqiptar sot është fare e thjeshtë: Cila vizitë zyrtare është më e rëndësishme se paraqitja përpara drejtësisë? Në cilin vend demokratik, një ministre nën hetim lejohet të mos paraqitet vetëm pse është në pushtet?
Në cilin vend demokratik drejtësia pret që të mbarojë udhëtimi i ministres për të nisur hetimin? Nëse drejtësia është e pavarur, ajo duhet të trajtojë të gjithë njësoj: qytetarë, ministra, të pasur, të varfër, opozitë e pushtet. Por kjo nuk ndodh, sepse drejtësia në Shqipëri ka dy standarde. Një për qytetarët e thjeshtë dhe një tjetër për qeveritarët. Sot qytetarët shqiptarë e ndjejnë çdo ditë drejtësinë e munguar."
Gjithashtu, u denoncua heshtja e SPAK për aferën me fondet e AZHBR-së, në qendër të së cilës është ish-ministrja Frida Krifca. Fondet që duhet të ndihmonin bujqësinë janë përdorur për pasurimin e një rrethi të ngushtë politik.
Pas çdo afere korruptive qëndron kryeministri Edi Rama, por drejtësia “nuk guxon” ta hetojë atë, theksoi deputetja demokrate.
'Shohin stok dosjesh që mbeten pa hetuar, kallëzime që harrohen në sirtar, procedime që zvarriten me vite, ndërsa korrupsioni vazhdon dhe lulëzon. Shikojnë gjyqe që bëhen me urdhër politik dhe jo për ligj. Shikojnë SPAK-un që vepron me shpejtësi kur përmendet opozita, por hesht kur në dorë si janë ministrat e qeverisë dhe nuk guxon kur pas çdo afere del që është kryeministri Edi Rama. Dhe si mund të besojnë qytetarët shqiptarë tek kjo drejtësi?
Kur fondet e fermerëve përfundojnë në duart e klientëve të qeverisë dhe njerëzve të botës së krimit. Fonde që duhet të ndihmonin bujqësinë, janë përdorur për pasurimin e një rrethi të ngushtë politik. Dhe në qendër të kësaj afere është Frida Krifca, ish-ministre dhe ish-drejtoresha e AZHBR-së, që duhet të ishte sot në hetim të plotë nga SPAK, por SPAK-u hesht. Dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë humbur besimin' tha Hoti.