SYRI TV/ Dita e 13 e grevës së urisë në Marinëz - Grevistët të vendosur ta vazhdojnë
Greva e naftëtarëve të Marinzës ka hyrë në ditën e 13-të. Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe lënies së grevës së dy naftëtarëve, pjesa tjetër vijojnë të qëndrojnë në grevë, në kërkim të plotësimit të kushteve që ata kanë ndaj kompanisë Bankers. Në mbështetje të grevistëve kanë shkuar edhe përfaqësues të organizatave sindikaliste dhe shoqatave ndërkombëtare si dhe naftëtarë veteranë.
Syri TV
Ka hyrë në ditën e 13-të protesta dhe greva e urisë e naftëtarëve të Sindikatës së Hidrokarbureve në Marinëz. Nga 10 grevistët që nisën qëndrimin ekstrem, sot kanë mbetur 8, pasi dy prej tyre, Dorjan Dyrmishi dhe Eduard Selami, janë larguar për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Megjithatë, pjesa tjetër vijojnë të qëndrojnë në grevë, duke mbështetur vendosmërinë për të mos u tërhequr pa marrë përgjigje për kërkesat e tyre.
Në mbështetje të grevistëve janë bashkuar përfaqësues të organizatave sindikaliste dhe shoqatave ndërkombëtare. Përfaqësues të ‘Olof Palme International Center’ dhe organizatës Drejtësi Sociale, përmes Plejada Gugashit dhe Gentjan Sejranit, kanë qenë sot pranë grevistëve, duke shprehur solidaritet të plotë me ta.
Mbështetje të hapur kanë dhënë edhe veteranë naftëtarë, të cilët kanë shkuar pranë grevistëve.
Në ditën e 13-të të grevës së urisë, mes dhimbjes dhe shpresës, fjala e vetme që përmendet në çadrat e grevës është drejtësi për punën, mundin dhe dinjitetin e naftëtarëve të Marinzës.