Vota e blerë dhe presioni shtetëror, Gjekmarkaj akuza të forta ndaj drejtësisë: Nuk shohin atë që pa gjithë bota
Organet e drejtësisë në Shqipëri akuzohen se po mbyllin sytë përballë fenomeneve të rënda të evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR në procesin zgjedhor. Gjatë një fjalimi, është ngritur shqetësimi për një paradoks të thellë: ndërsa vëzhguesit e huaj, përfshirë polakë, gjermanë e hungarezë, konstatojnë qartë shkrirjen e kufirit ndarës mes partisë në pushtet dhe shtetit, institucionet ligjzbatuese vendase duket se nuk e vënë re këtë problematikë.
Sipas akuzave, ndërkombëtarët kanë evidentuar se “lukunia e patronazhistëve ka bërë kërdi” në manipulimin e votës, por ky konstatim tronditës nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga organet e drejtësisë shqiptare. Më tej, theksohet se raporti i OSBE-ODIHR ka vënë në dukje edhe presionin që ushtrohet nga kryetarët e bashkive, drejtorët dhe administrata publike për të siguruar vota, një tjetër shkelje flagrante që duket se ka kaluar në heshtje.
Në reagimin e tij deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, kritikoi ashpër edhe dështimin e një task-force të posaçme, e përbërë nga krerët e Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policisë së Shtetit. Kjo task-forcë, e cila u krijua me premtimin për të luftuar me forcë manipulimin zgjedhor, rezultoi tërësisht inefikase. “Ne që ishim në terren e kuptuam që e tmerrshmja ndodhi dhe ata nuk patën mundësi të bënin asgjë,” u shpreh folësi, duke e cilësuar reagimin e institucioneve si “postum” ose të ardhur pas faktit të kryer.
Në përfundim, hidhen dyshime të forta mbi legjitimitetin e procesit, duke deklaruar se në votimet e 11 majit, shumë mandate u përcaktuan jo nga vullneti i lirë i qytetarëve, por nga “vota e krimit e patronazhimit”.
Deputeti Agron Gjekmarkaj: Zoti kryetar, unë e ndoqa me vëmendje zotin prokuror të përgjithshëm. Përgjigjet e tij ishin stilema të cilat përdoren zakonisht rëndom në çdo raportim të tillë. Diskursi i tij ishte i ndërtuar mbi një paradoks, sepse është e pamundur që pjesëtarët që përbëjnë trupën e OSBE-ODIHR-it, polak, gjerman, hungarez, vijnë dhe konstatojnë që kufiri ndarës ndërmjet partisë dhe shtetit në Shqipëri është shuar, dhe organet e drejtësisë të vendit tonë nuk e vënë re këtë vijë ndarje që është shuar dhe s'bëjnë asgjë për ta penguar. Nga ana tjetër, po këto personazhe të OSBE-ODIHR-it vënë re që lukunia e patronazhistëve ka bërë kërdi në manipulimin e votës në Shqipëri dhe organet e drejtësisë të vendit tonë nuk e shohin, përsëri kjo është mjaft trishtuese.
Shohin gjithashtu OSBE-ODIHR-i se kryetarët e bashkive, drejtorët, administrata publike ushtron presion për votën dhe organet e drejtësisë së vendit tim, të vendit tënd nuk e shohin një gjë të tillë. Sepse duket vërtet e çuditshme sepse ata u mblodhën, mos gaboj në fund të vitit 2024 apo në fillim të vitit 2025, prokurori i përgjithshëm, kreu i SPAK-ut, ëh, shefi i KQZ-së, drejtori i përgjithshëm i policisë dhe u krijua përshtypja që vërtet u krijua një task-forcë që do bëjë gjërat e tmerrshme kundër manipulimit të votës. Ne që ishim në terren e kuptuam që e tmerrshmja ndodhi dhe ata nuk patën mundësi të bënin asgjë dhe janë postum duke folur pas një zgjedhje, pas votimeve fasadë të 11 majit, ku shumë mandate janë përcaktuar nga vota e krimit e patronazhimit dhe e partisë shtet.