Skandali i Irenës me 3 mbiemra/ Prokurori i Përgjithshëm: Deklarimi i rremë përbën vepër penale, procesi i verifikimit nuk ka afat

Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela, iu përgjigj në Kuvend pyetjeve të opozitës në lidhje me skandalin e Irena Gjokës, e cila edhe pse është dënuar në Greqi, vazhdon funksionin e saj pranë Gjykatës Speciale, pavarësisht se mashtrimi që ka bërë ajo në formularin e dekriminalizimit është vepër penale.

“Kjo çështje u trajtua edhe gjatë raportimit që bëmë në Komisionin e Ligjeve. Po, përbën vepër penale. Edhe në raportin që lexova ishin 13 raste për sa i përket deklarimit të të dhënave të rrema në formularin e dekriminalizimit,” tha Çela.

Prokurori i Përgjithshëm tha se procesi i verifikimit të saj nuk ka afat.

“Ky proces nuk ka afat. Afatet zgjaten çdo tre muaj sa herë është e nevojshme. Ligji na ngarkon për të bërë verifikime të plota dhe në përfundim, këto verifikime ia dërgojmë organit që ka kërkuar verifikimet. Përgjigjet e letër-porosive nuk janë në dorën tonë. Varet nga autoritetet e huaja. Ne kemi kërkuar që të dhënat të jenë të plota në mënyrë që t’i shërbejnë të gjitha organeve.

Verifikimi na është kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Edhe me SPAK kemi pasur komunikimet përkatëse duke u dërguar materialet që lidhen me rastin. Ajo që mund të them është se Prokuroria e Përgjithshme është përpjekur të tregojë transparencë të plotë me këdo që ka pasur interes për të marrë informacion,” tha Çela.