Berisha: I keni hequr çdo kompetencë Prokurorit të Përgjithshëm dhe tani lexoni një rezolutë që është një nekrologji për reformën

Lideri i opozitës, Sali Berisha, kritikoi rezolutën e lexuar në parlament për Prokurorin e Përgjithshëm, duke theksuar se atij i janë hequr të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Berisha e cilësoi dokumentin si një “nekrologji” për reformën në drejtësi dhe u bëri thirrje deputetëve të lexojnë Kushtetutën, për të kuptuar se Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë tagër mbi prokurorët dhe se roli i tij në parlament është thjesht referues.

Kreu i PD shtoi se kërkesat e parashtruara në rezolutë nuk i përkasin Kushtetutës dhe ligjit, duke kritikuar papërgjegjshmërinë e shumicës për masat e propozuara.

Deklarata e plotë:

Ftoj çdo deputet në këtë sallë të hapë Kushtetutën.
Dhe në qoftë se lexoni Kushtetutën, ai zotëri, nuk ka në mënyrë absolute asnjë tagër në Kushtetutë për ato që i thoni ju rezolutë.
Se e kanë zhveshur nga çdo lloj kompetence, të jemi të vërtetë, dhe e thërrasin sikur të ishte me Kushtetutën e vjetër.
Ju lexuat një rezolutë me seri nenesh duke shtruar kërkesa, të cilat Kushtetuta dhe ligji nuk ia njeh asnjë atij.
Prandaj dhe pse e ngrita këtë?
Ai nuk ka përgjegjësi, se ai ka aardhur në parlament për të referuar.
Por këtë e ngrita për shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë që dëshmohet.
Nuk ka asnjë lidhje me parlamentin.
Nuk ka asnjë fuqi mbi prokurorët se ia ka KLP-ja.
Është, sipas këtij libri, përfaqësues në marrëdhënie ndërkombëtare i shtetit shqiptar si prokuror.
Kaq.
Prandaj të mos bëjmë gjëra të tilla.
Të mos bëjmë gjëra të tilla!
I keni hequr çdo kompetencë dhe tani lexoni një rezolutë, e cila në fakt është një nekrologji, jo për personin, por për Prokurorin e Përgjithshëm.
Për reformën.
Kjo është e vërteta.
Të paktën, kur vini në parlament, kur zgjidheni, lexojeni Kushtetutën, lexojeni se do u ndihmojë.