Babai i Zohran Mamdani-t, thotë se nazistët mësuan të kryenin mizori nga SHBA-ja, përfshirë spastrimin etnik
Babai i Zohran Mamdanit pretendon se nazistët morën drejtpërdrejt shembull nga "historia e gjenocidit, spastrimit etnik, racizmit zyrtar dhe kampeve të përqendrimit" të Shteteve të Bashkuara.
Zohran Mamdani, 34 vjeç, shpesh e ka cilësuar të atin si ndikimin më të madh të jetës së tij, por në shkrimet politikisht të ngarkuara të babait të tij, ky i fundit shfaq një përbuzje të thellë ndaj kulturës perëndimore, ndonëse jeton komod në lagjen e pasur të Upper West Side të Nju Jorkut.
Radikali socialist Mahmood Mamdani, 79 vjeç, shkon aq larg sa pretendon se nazistët morën idenë për vrasjen e hebrenjve duke vëzhguar SHBA-në.
"Aleatët që ndoqën penalisht nazistët në Nuremberg kishin interes të injoronin rrënjët politike të nazizmit, sepse këto rrënjë ishin gjithashtu amerikane," shkruan ai në njërën nga librat e tij.
"Shtetet e Bashkuara janë rezultat i një historie gjenocidi, spastrimi etnik, racizmi zyrtar dhe kampesh përqendrimi (të njohura si rezervate indiane)."
Ky libër, Neither Settler Nor Native: The Making and Unmaking of Permanent Minorities, i është kushtuar Zohran Mamdanit. Dhe në falënderimet e tij, Mahmood i bën thirrje të birit për revolucion.
"Dhe Zohran-it, birit tonë, i cili e kupton se ka ardhur koha të dalë dhe t'u bashkohet atyre që janë të paduruar për ta ndryshuar botën," shkruan ai.
Në atë kohë, Zohran Mamdani ishte gati të ndiqte këtë rrugë, kur hyri në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, i pajisur me bindjet anti-imperialiste, anti-sioniste dhe anti-kapitaliste të prindërve të tij.
Si student në Bowdoin College në Maine, ai kishte themeluar një degë të organizatës Students for Justice in Palestine (Studentë për Drejtësi në Palestinë), një grup anti-izraelit.
Libri i Mahmood Mamdanit, Neither Settler Nor Native, një studim akademik mbi kolonializmin e kolonëve në mbarë botën, u botua gjithashtu në vitin 2020 dhe argumenton se "kolonët sionistë në Izrael dëbuan dhe përqendruan me forcë johebrenjtë, një proces që vazhdon ende".
Mahmood, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së The Post për koment, është gjithashtu përkrahës i lëvizjes Boycott, Divestment and Sanctions (BDS) kundër Izraelit, bashkë me të tjerë në departamentin e tij të antropologjisë, si Lila Abu-Lughod dhe Brinkley Messick, të cilët mbështetën sanksione ndaj Izraelit dhe përmenden në seksionin e falënderimeve të librit të tij.
Messick gjithashtu kishte shtyrë akademikët të bojkotonin institucionet arsimore izraelite në vitin 2016 dhe i kishte kërkuar Universitetit Columbia të tërhiqte fondet e pensioneve nga Izraeli. Ai ndërroi jetë në gusht.
I lindur në Indi, i rritur në Kampala dhe i arsimuar në universitete amerikane, Mahmood Mamdani është një anti-imperialist që ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Miqësisë Ugandë-Kore e Veriut në vitin 1981, një grup i lidhur me Korenë e Veriut. Mamdani udhëtoi në Phenian në fillim të viteve '80, ku shkroi një raport në të cilin theksonte: "Ajo që na bëri përshtypje që në fillim ishte mobilizimi i jashtëzakonshëm i popullsisë. Fëmijët që shkonin apo ktheheshin nga shkolla marshonin në rreshta të rregullt, duke kënduar këngë."
Nëna e Zohran-it, regjisorja Mira Nair, fituese e Çmimit Oscar për filmin e saj Salaam Bombay!, gjithashtu kundërshton Izraelin.
Në vitin 2013, ajo refuzoi një ftesë për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Haifa si e ftuar nderi për të shfaqur filmin e saj The Reluctant Fundamentalist, i cili ishte realizuar me një grant prej 15 milionë dollarësh, i gjithë buxheti i filmit, nga Doha Film Institute në Katar, siç zbuloi The Post.
"Do të shkoj në Izrael kur pushtimi të ketë mbaruar," shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale në atë kohë. "Do të shkoj në Izrael kur shteti të mos privilegjojë një fe mbi tjetrën. Do të shkoj në Izrael kur aparteidi të ketë mbaruar."
Në vitin 2004, Nair themeloi një shkollë filmi në Kampala, Maisha Film Lab, për t'u dhënë bursa kineastëve të rinj. Kjo shkollë financohet pjesërisht nga Katari dhe OSI Development Fund, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga filantropi progresist George Soros, sipas faqes zyrtare të shkollës.
Një pjesë e studimeve të Mahmood Mamdanit është gjithashtu financuar nga Sorosi.
Filantropi progresist, ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, dha gjithsej 620,000 dollarë për Universitetin Makerere, ku Mamdani drejtonte një qendër kërkimore për politika sociale, mbikëqyri ndërtimin e një pavijoni të ri, të një biblioteke dhe themelimin e një programi doktorature.
Granti më i madh, prej 450,000 dollarësh, iu caktua Institutit të Kërkimeve Sociale Makerere të Mamdanit për "dekolonizimin e dijes në Afrikë dhe në akademinë afrikane", sipas Open Society Foundations të Sorosit.
Përveç qëndrimeve anti-izraelite të familjes, Mahmood Mamdani përqafon gjithashtu të njëjtin lloj socializmi radikal që ndan i biri, anëtar i organizatës Democratic Socialists of America. Në librin e tij më të fundit, Slow Poison: Idi Amin, Yoweri Museveni, and the Making of the Ugandan State, botuar javën e kaluar, Mamdani kritikon diktatorin ugandez Yoweri Museveni, i cili ka sunduar për gati 40 vjet, për përqafimin e kapitalizmit ndërkombëtar. / New York Post - Syri.net