Ndoja vendos pikat 'mbi i': Po shkelet Kushtetuta, këtu jemi për të folur, jo për të shkruar
Deputeti i Partisë Demokratike Arjan Ndoja në fjalën e tij gjatë seancës planeare ka mbrojtur të drejtën e ligjvënësve për të bërë pyetje me gojë dhe duke akuzuar drejtuesit e seancës për një sërë shkeljesh procedurale dhe kushtetuese.
Në fjalën e tij, deputeti argumentoi se thelbi i punës parlamentare është fjala dhe se Kushtetuta e mbron këtë të drejtë. Ai iu referua nenit 73 të Kushtetutës, i cili përcakton se një deputet nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura, përveç rasteve kur ato përbëjnë vepër penale të shpifjes. Sipas tij, praktika e pyetjeve me gojë nuk shkel as Kushtetutën dhe as rregulloren e Kuvendit, duke theksuar se depozitimi i pyetjeve me shkrim shërben vetëm për qëllime formale dhe regjistrimi.
“Në hierarkinë e akteve, Kushtetuta është e para dhe ajo përcakton parlamentin si organin më të lartë ligjvënës. Ne këtu jemi për të folur,” deklaroi ai.
Deputeti hodhi poshtë idenë se pyetjet me gojë kanë për qëllim denigrimin personal të zyrtarëve, duke e cilësuar këtë si një “paragjykim total”. Ai solli në vëmendje se në të gjitha komisionet hetimore të mëparshme, pyetjet ndaj drejtuesve të institucioneve janë bërë me gojë pa shkaktuar asnjë problem.
Ndoja: Shqipëria është Republikë parlamentare, në hierarkinë e akteve ligjore, Kushtetuta është e para. Meqënëse Kushtetuta përcakton parlamentin si organin më të lartë ligjvënës, në hierarkinë e akteve është kuvendi i cili ka prerrogativat më të mëdhaja për të ushtruar në mënyrë të saktë dhe në përputhje me ligjin e Kushtetutën të drejtat e tij. Në nenin 73 të Kushtetutës thuhet që deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura, përveçse kur kjo tejkalon në nivelin e një vepre penale të shpifjes. Atëherë, edhe aksioma biblike thotë që e para është fjala. Ne këtu jemi për të folur.
Unë nuk mendoj që e shkelim në asnjë moment Kushtetutën dhe rregulloren që ne të bëjmë pyetje me gojë. Ato depozitohen për efekt formal procedure, regjistrimi, diskutuesish dhe pyetësish në sekretari, por ndërkohë pyetja bëhet me gojë. Së dyti, po rregullorja e Kuvendit në nenin 62 deri 65, fraksion dyshi, parashikon të gjitha llojet e vërejtjeve që i jepen ndaj një deputeti dhe këto nuk jepen për pyetjet me shkrim, po për sjelljet dhe qëndrimet që mban dhe ato që thotë me gojë këtu në seancë. Pra, veprimin e tij, administrativ le ta themi, në jetën parlamentare që e normon rregullorja.
Së treti, në të gjithë komisionet hetimore ku drejtuesit e institucioneve kanë marrë pjesë, ne pyetjet i kemi bërë me gojë dhe s'kemi pasur asnjë lloj problemi.
E katërta, komisionet parashikojnë të njëjtën mënyrë funksionimi të veprimtarisë parlamentare, ashtu si dhe seanca plenare. Atëherë i bie që ne paskemi shkelur ligjin që i kemi pyetur në komisione me gojë.
Së pesti, retorika dhe ideja që ne këtu duam të vendosim dikë përpara përgjegjësisë personale ose të denigrojmë figurën e tij, për mendimin tim është paragjykim totalisht dhe s'i shkon askujt që ta bëjë. Unë në komisione të gjithë pyetjet që kam bërë kanë qenë pyetje të cilat kam marrë përgjigje dhe kemi marrë produktin që ne edhe si opozitë, edhe në aspektin politik, kemi pritur që të marrim.
Nga ana tjetër, për procedurë prapë sot, se ju jeni kryetar i Kuvendit, është vendim që ju takon ju personalisht. Janë lënë veprimtari komisionesh hetimore sot, që është në kundërshtim me nenin 40 të rregullores. Pra, sot është dita e seancës plenare. Në qoftë se do ikin shumica e anëtarëve të komisioneve, nëpër ato komisione janë shtatë komisione që kanë programuar sot, i bie që nuk është kuorumi dhe nuk duhet të zhvillojë, dhe është në kundërshtim të hapur me rregulloren.
Së treti, keni bërë një ndryshim të rregullores së Kuvendit, neni 19, për krijimin e komisioneve të përhershme parlamentare. Nuk është gjetur përputhja në praktikë me numrin e këshilltarëve ligjorë që i takojnë grupeve parlamentare. Së paku për çdo komision duhet të ketë nga një grup parlamentar, duhet të ketë nga një këshilltar. Ngelën akoma shtatë këshilltarët, ndërkohë që janë bërë 11 komisione.
Së fundi, por jo politikisht. Kjo ëh kam besim absolut për titullarët e institucioneve që ata janë përballë pa anestezi, pa mjete të tjera që ndalojnë dhimbjet dhe kanë komunikuar akuza të rënda, po dhe vendime shumë të rëndësishme deri në burgim të përjetshëm dhe nuk e kanë fare problem, bile po ju marrim kohë nga zhvillimi i seancës edhe duhet të vazhdojë normalisht kjo seancë nëpërmjet pyetjeve. Pra, nuk besoj te intimodhen nga pyetjet e askujt. Ne këtu kemi të drejtën e fjalës e jo të së shkruarit.