Mbreti i Jordanisë: Trupat ndërkombëtare nuk do përfshihen në një mision përtej paqeruajtjes në Gaza

Mbreti Abdullah II i Jordanisë ka paralajmëruar se asnjë vend nuk do të pranojë të dërgojë trupa për të “zbatuar” paqen në Rripin e Gazës, nëse ky është mandati i planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në një intervistë ekskluzive për BBC, monarku jordanez tha se shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë do të refuzonin të përfshiheshin në një mision që shkon përtej paqeruajtjes.

“Cili është mandati i forcave të sigurisë brenda Gazës? Shpresojmë që të jetë për ruajtje të paqes, sepse nëse është për zbatim të saj, askush nuk do të dojë të përfshihet” tha Mbreti Abdullah.

Sipas planit 20-pikësh të paqes së paraqitur nga administrata Trump, shtetet arabe dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të dërgojnë forca stabilizuese që do të trajnojnë dhe mbështesin policinë palestineze në Gaza, duke u konsultuar me Jordaninë dhe Egjiptin. Ndërkohë, Hamasi do të duhet të dorëzojë armët dhe të heqë dorë nga kontrolli politik i territorit.

Mbreti theksoi se Jordania dhe Egjipti janë të gatshëm të trajnojnë forcat palestineze, por paralajmëroi se ky proces kërkon kohë dhe stabilitet.

“Paqeruajtja nënkupton që je aty për të mbështetur policinë lokale, jo për të patrulluar me armë. Asnjë vend nuk dëshiron të futet në një terren të tillë”, shtoi ai.

Jordania nuk do të dërgojë trupa në Gaza

Mbreti Abdullah përjashtoi dërgimin e forcave jordaneze në Gaza, duke theksuar se vendi i tij është “politikisht shumë i afërt” me çështjen palestineze. Jordania ka pranuar më shumë se 2.3 milion refugjatë palestinezë ndër vite, numri më i madh në rajon.

Ai tha se nuk mund të parashikojë nëse Hamasi do të mbajë premtimin për t’u çarmatosur, por shprehu besim në ndërmjetësit Katar dhe Egjipt.

“Ata që janë më afër Hamasit, Katari dhe Egjipti, janë shumë optimistë se do ta mbajnë fjalën”, tha ai.

Monarku paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen izraelito-palestineze do të ishte “fatale” për rajonin.

“Nëse nuk gjejmë një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët, dhe një marrëdhënie të qëndrueshme mes botës arabe dhe Izraelit, jemi të dënuar”, tha ai.

Mbretëresha Rania: Bota ka dështuar të ndalë luftën

Në të njëjtën intervistë për BBC, Mbretëresha Rania, me origjinë palestineze, kritikoi ashpër komunitetin ndërkombëtar për mosveprimin ndaj luftës dy-vjeçare në Gaza.

“Të shohësh fëmijët që vuajnë, që kanë uri e dridhen nga frika, dhe të mos mund të bësh asgjë, ndërsa bota vetëm vështron, ky është një makth që palestinezët e jetojnë çdo ditë”, tha ajo.

Mbretëresha vlerësoi gjithashtu rolin e presidentit Trump në arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, duke theksuar se ai kishte përdorur ndikimin e SHBA-ve për të ushtruar presion mbi Izraelin.

“Për hir të së vërtetës, Trump ishte i pari president pas shumë kohësh që i vuri vërtet kushte Izraelit. Ai arriti ta bindë Netanyahun të pranojë armëpushimin”, shtoi ajo.

Krizë humanitare e thellë

Siç shkruan BBC, Mbreti Abdullah ka drejtuar personalisht tre misione ajrore për dërgimin e ndihmave në Gaza dhe ka kërkuar mbështetjen e presidentit Trump për evakuimin e 2 mijë fëmijëve palestinezë të sëmurë rëndë. Deri tani, 253 fëmijë janë evakuuar në Jordani, ndërsa mbi 15 mijë persona ende presin të largohen nga territori, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“WHO” e ka përshkruar procesin e evakuimit si “jashtëzakonisht të ngadalshëm”, ndërsa ushtria izraelite thekson se procedurat e verifikimit të sigurisë janë “të domosdoshme” për kalimin nëpër territorin izraelit.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ku u vranë më shumë se 1 mijë e 200 izraelitë dhe 251 u morën peng. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 68 mijë palestinezë janë vrarë që prej pushtimit izraelit të territorit.

Mbretëresha Rania mbylli intervistën me një mesazh të fuqishëm, duke u shprehur “Shpresa nuk është naivitet, por akt sfide. Është rruga e vetme që nuk e mohon vuajtjen palestineze dhe nuk e tradhton njerëzimin tonë.”