Gjekmarkaj: Po e ktheni Kuvendin në spital që fashon plagët e korrupsionit
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e opozitës ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë seancës plenare, duke akuzuar mazhorancën për “asgjësim” të parlamentit dhe shkelje të traditës 35-vjeçare të parlamentarizmit.
Në një fjalë për procedurë, të cilën deklaroi se e kishte përgatitur me shkrim “në shenjë respekti për seancën”, deputeti i opozitës i bëri thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të mundësojë një seancë normale, duke pretenduar se prej dy muajsh kjo e drejtë i është mohuar vendit.
“Përmes akteve tuaja, seancë pas seance, ku tentoni të asgjësoni çdo të drejtë të opozitës, të provokoni opozitën, të shpikni rregulla të reja, të padëgjuara më parë, ju nuk po asgjësoni opozitën, por keni asgjësuar parlamentin, që është pronë e qytetarëve”, deklaroi ai.
Deputeti kritikoi ashpër mënyrën se si po menaxhohet e drejta e deputetëve për të bërë pyetje, duke theksuar se ajo nuk është një proces mekanik. “Pyetja ka tekst dhe kontekst, ajo mbart emocione njerëzore, ajo mbart këndvështrime. Ajo përfaqëson interesin e qytetarëve. Secili prej nesh këtu që bën një pyetje, pasqyron një shqetësim të qytetarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se mohimi i kësaj të drejte është një fyerje për qytetarët dhe për titullarët e institucioneve të pranishëm për të dhënë përgjigje.
Duke iu referuar historikut të drejtuesve të Kuvendit, ai përmendi emra si Pjetër Arbnori, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Ilir Meta, Gramoz Ruçi e Lindita Nikolla, duke argumentuar se sjellja aktuale e mazhorancës përbën një shkëputje nga një traditë e gjatë respekti institucional.
Në një nga momentet më të forta të fjalës së tij, nënkryetari i Kuvendit tha: “Parlamenti i Shqipërisë nuk është pronë e Partisë Socialiste. Nuk është spitali që fashon plagët e korrupsionit. Përndryshe mos harxhoni drita, ujë dhe roje. Mblidhuni një herë në gjashtë muaj”.
Fjalimi u mbyll me një kritikë direkte ndaj kryetares së Kuvendit, duke i kujtuar se ajo u zgjodh në atë post, por, sipas tij, u shndërrua në “lajmëtar” ose “haberçi”, një fjalë me origjinë turke. “Ju lutem, sado pak, përpiquni të riktheheni kryetar i Kuvendit. Për të ndërtuar një portret të ndershëm, njeriu mund të mundohet gjithë jetën. Për t’u turpëruar mjafton vetëm një moment”, përfundoi ai.
Gjekmarkaj: Zoti Kryetar i Kuvendit,
Në cilësinë e Nënkryetarit të këtij institucioni, ju ftoj shumë qetësisht të reflektoni, dhe të bëni të mundur një seancë normale, sepse në dy muaj ia keni mohuar vendit dhe parlamentarizmit një të tillë.
Përmes akteve tuaja seancë pas seance ku tentoni të asgjesoni çdo të drejtë të opozitës, të provokoni opozitën, të shpikni rregulla të reja, të padëgjuara më parë, ju nuk po asgjesoni opozitën, atë nuk do e arrini kurrë, por keni asgjesur Parlamentin që është pronë e qytetarëve të saj.
Ne deputetët e opozitës kemi ardhur sot këtu shumë seriozisht të përgatitur, me respekt për titullarët e institucioneve, dhe ata duhet të na dëgjojnë ne me respekt. Ju lutem mos e sabotoni kete seance, shoqeria po ju sheh dhe po ju gjykon!
Ndaj duhet të lejoni deputetët të bëjnë punën e tyre, të bëjnë pyetje! Ashtu siç kanë bërë në 35 vjet në këtë sallë.
Pyetja nuk është mekanike.
Ajo ka tekst e kontekst, ajo mbart emocione njerëzore e këndvështrime.
Ajo nuk është një gjë e thatë, ajo përfaqëson interesin e qytetarëve! Secili prej nesh këtu që bën një pyetje pasqyron një shqetësim të qytetarëve. Prandaj qytetarët kanë të drejtë të kuptojnë shqetësimin dhe pyetjen që buron prej tij.
Nëse na mohoni këtë të drejtë, ju fyeni qytetarët, por fyeni edhe titullarët e institucioneve dhe fikni parlamentin! Ju po i trajtoni titullarët e institucioneve të drejtësisë si zëdhënës të deputetëve, që në fakt nuk janë. Me çfarë të drejta ju i kërkoni atyre të bëjnë edhe prezantimin e pyetjes së deputetëve dhe prezantimin e përgjigjës.
Përndryshe, i bie që titullarët të na përgjigjen me shkrim dhe dikush nga sekretaria e Kuvendit t’i lexojë në vendin e tyre — ose t’i lexojmë ne, deputetët! Pra, kështu i bie nga e kundërta!
Nëse seanca bëhet siç e dëshironi ju, në kundërshtim me rregulloren, ajo është asgjësim i traditës 35-vjeçare të respektuar nga ne dhe nga ju, kushdo që e ka administruar Kuvendin! Nga Pjeter Arbnori tek Servet Pellumbi , nga Jozefina Topalli tek Ilir Meta nga Namik Dokle , Gramoz Ruçi, Lindita Nikolla apo Elisa Spiropali. Pse ju duhet të silleni ndryshe me opozitën. Ku e gjeni kurajon, me ctë drejtë z. Peleshi?
Unë e kuptoj që të gjithë ju jeni nën efektin e ngjarjeve që vetë i keni gatuar, por parlamenti është i Shqipërisë, nuk është pronë e PS-së! Nuk është spitali qe fashon plaget e korrupsionit!
Përndryshe, mos harxhoni drita, ujë dhe roje, mblidhuni një herë në gjashtë muaj, si Haxhi Lleshi, se jeni fare pranë tij! Ju ngrini vetëm kartonat dhe kështu kursejmë shpenzimet e kota për një Kuvend që ju qartësisht nuk doni të funksionojë.
E në fund më lejoni tju kujtoj, se në fillim u zgjodhët si Kryetar Kuvendi, por menjëherë ju shndërruan — siç thuhet në gjuhën e bukur turke — në haberrçi. Ju lutem, sado pak përpiquni të riktheheni si Kryetar i Kuvendit, paçka se këta ju duan si haberrçi. Përndryshe ju sjell në vëmendje, se për të ndërtuar një portret të ndershëm dhe korrekt me detyrën njeriu mundohet gjithë jeten, për tu turperuar mjafton vetem një moment. Me keqaardhje nëse vazhdoni me kokëfortësi dhe në shkelje të rregullave bazë të parlamentarizmit, ky moment mund të jetë edhe sot.
Edhe njëherë qetësisht REFLEKTONI sepse jeni më shumë sesa gabim.