Prefektura japoneze i bën thirrje ushtrisë të ndërhyjë për të mbrojtur qytetarët nga sulmet e arinjve

Guvernatori i Prefekturës Akita në Japoninë veriore, Kenta Suzuki, i ka bërë thirrje ushtrisë që të ndërhyjë për të mbrojtur banorët nga sulmet e përsëritura të arinjve, të cilat po shtohen me ritme alarmante. “Lodhja në terren po arrin kulmin”, shkroi ai në një postim në Instagram të dielën, duke njoftuar se të martën do të vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes për të kërkuar mbështetje konkrete, raporton Reuters.

Thirrja e guvernatorit vjen pas një sulmi tragjik në Akita, ku një ari vrau një person dhe plagosi tre të tjerë. Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, vetëm këtë vit në Akita janë raportuar 54 raste të sulmeve nga arinjtë, një numër rekord që tejkalon ndjeshëm vitin e kaluar, kur u regjistruan vetëm 11 raste.

Rritja e paprecedentë e sulmeve ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike, ndërsa ekspertët e lidhin këtë fenomen me ndryshimet klimatike dhe mungesën e ushqimit në habitatet natyrore të arinjve.