Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Kërkuan zbutje të masës së sigurisë, lihen në burg Gjon Shkëmbi dhe punonjësi i sigurisë
Në Gjykatën e Apelit, këtë të hënë u mbajt seanca për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ku u dha masa për Gjon Shkambin dhe punonjësin e sigurisë, Banush Koxhaj. Ndaj tyre u vendos masa e ‘arrestit në burg’.
Ndërkohë vrasësi i gjyqtarit Elvis Shkambi nuk e ka apeluar masën e arrestit me burg. Gjon Shkambi akuzohet se kishte dijeni mbi planin e nipit, akuza të cilat i ka mohuar.
Koxhaj dyshohet se shpërdoroi detyrën duke mos kontrolluar dhe mos vlerësuar alarmin e detektorit që tregoi se vrasësi po hynte me një pistoletë.
Njoftimi i Gjykatës:
Në gjykatën e Apelit, sot u gjykua çështja penale (masë sigurimi) që i përket ngjarjes së ndodhur me datë 06.10.2025, rreth orës 15:40, ku në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi Elvis Shkëmbi (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K dhe E. K, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën gjyqtari Astrit Kalaja dhe janë plagosur shtetasit R. K dhe E. K.
Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:
- personit nën hetim me iniciale E. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes së funksionarëve publikë”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, parashikuar nga nenet 79/a, 79 germa “ç”, 25, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
- personit nën hetim me iniciale Gjon Shkëmbi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 germa “ç”, 25, 22 i Kodit Penal.
-personit nën hetim me iniciale B. K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2774 Regj, datë 09.10.2025, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
2. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim E. Sh.
3. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim E. Sh, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
4. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Gj. Sh.
5. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim Gj. Sh, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
6. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim B. K.
7. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim B. K, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
8. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personat nën hetim me iniciale Gj. Sh dhe B.K, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.10.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Genti Shala, vendosi:
- Miratimin e vendimit nr .2774 Regj, datë 09.10.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë