'Rama i ka kërkuar dorëheqjen në mbledhjen e fundit?'/ Gjokutaj: Balluku në SPAK për 'çfarë ka bërë'
Juristi Genci Gjokutaj, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka komentuar thirrjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, duke theksuar se përgjegjësia për aferat korruptive që janë nën hetim bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin Edi Rama.
“Po t’i referohemi raportimit të pak ditëve më parë në Komisionin e Ligjeve nga zoti Dumani, ai ka deklaruar se të gjitha këto afera që përmendni janë çështje nën hetim. Sigurisht që janë çështje nën hetim, por nuk ka persona nën hetim”, u shpreh Gjokutaj.
Sipas tij, në të gjitha këto dosje që janë nën hetim, rezulton se ka firmosur zonja Balluku. Por, theksoi ai, Balluku ka vepruar në cilësinë e zëvendëskryeministres, pra në emër të Edi Ramës.
“Mos harroni një gjë, zonja Balluku ka firmosur në cilësinë e zëvendëses së Ramës, dhe Edi Rama nuk mund të vazhdojë të bëjë teatrin që po bën, sikur secili ka përgjegjësinë e vet. Sepse zëvendësja e tij ka firmosur në emër dhe me porosi të tij,” tha Gjokutaj.
Juristi shtoi se të gjitha aktet e firmosura nga Balluku, në kuptim të ligjit, konsiderohen të firmosura nga vetë Rama.
“S’është fjala vetëm për dijeni dokumentare. Ai është edhe ‘krushku’ i këtyre aferave, nëpër darka e zyra,” vijoi ai.
Gjokutaj akuzoi se anëtarët e qeverisë, përfshirë Ballukun, “nuk kanë guximin as të firmosin, as të marrin pjesë në projektet apo negociatat që lidhen me këto çështje”.
“Në këtë pamje, përgjegjësia e Ramës është e barabartë, në mos më e madhe, sesa ajo e Ballukut,” deklaroi ai, duke shtuar se Rama mban jo vetëm përgjegjësi ligjore, por edhe morale.
Në vijim, Gjokutaj komentoi edhe deklaratat e Ballukut pas vizitës së saj në Berlin.
“Shkon në Berlin dhe thotë: ‘SPAK bën punën e tij, ne bëjmë punën tonë’. Nëse ajo bën punën e vet siç thotë ligji, SPAK nuk ka çfarë pune të bëjë. Puna e SPAK është puna e Ramës,” tha juristi.
Ai shtoi me ironi se është “unike në botë që një zëvendëskryeministre me fletëthirrje nga SPAK dhe me kërkesë për t’u paraqitur me avokat, të udhëtojë nëpër Europë me avionë e trena, duke folur për integrimin e Shqipërisë dhe lidhjen e kontratave zhvillimore”.
“Karrikaturë më të madhe as është dëgjuar, as do dëgjohet,” tha Gjokutaj, duke vënë në dyshim edhe reagimin e kryeministrit.
“Sikur Rama t’i kishte kërkuar dorëheqjen në mbledhjen e fundit, pse nuk e ka shkarkuar atëherë?”, pyeti ai.
Në përmbyllje, juristi theksoi se fakti që SPAK e ka thirrur Ballukun me kërkesë për të shkuar me avokat tregon se ajo nuk shkon për të deklaruar “çfarë di”, por “çfarë ka bërë”.
Gjokutaj:
Po t’i referohemi pak ditë më parë raportimit në Komisionin e Ligjeve të zotit Dumani, ai ka deklaruar as më shumë e as më pak, që të gjitha këto afera që ju përmendët janë çështje nën hetim. Sigurisht që këto janë çështje nën hetim, por s’ka persona nën hetim.
Në të gjitha këto çështje që janë nën hetim, sipas zotit Dumani, ka firmosur zonja Balluku. Por mos harroni një gjë, në gjithë këtë diskutim, zonja Balluku ka firmosur në cilësinë e zëvendëses së Ramës, dhe Edi Rama nuk mund të vazhdojë të bëjë teatrin që po bën, që secili ka përgjegjësinë e vet, thotë, sepse ka firmosur zëvendësja e tij, në emër dhe me porosi.
Sigurisht që të gjitha aktet e firmosura nga zonja Balluku, quhen në kuptim të ligjit të firmosura nga zoti Rama, dhe sigurisht që ai jo vetëm ka dijeni nga ana dokumentare, por ai është edhe krushku, darkave nëpër zyra, krushku që i bën këto afera.
Mos harroni që zonja Balluku dhe të gjithë ballukët dhe Ballukët që ndodhen në qeveri, nuk kanë guximin jo vetëm të firmosin, por nuk kanë guximin të marrin pjesë as në projektin, as në negociatat që bëhen për këto çështje.
Kështu që në këtë pamje, përgjegjësia e zotit Rama, dijenia e tij në radhë të parë për këto afera korruptive, përgjegjësia e tij është e barabartë, për të mos thënë më e madhe sesa e zonjës Balluku.
Ai, përveç përgjegjësisë ligjore, ka edhe përgjegjësinë morale.
Shikoni çfarë ndodh me zonjën Balluku: shkon në Berlin dhe thotë “SPAK bën punën e tij, ne bëjmë punën tonë”. Nëqoftëse kjo bën punën e vet ashtu si thotë ligji, SPAK nuk ka se çfarë pune të bëjë.
Puna e SPAK nuk është puna e SPAK, puna e SPAK është puna e Ramës.
Legjenda urbane thotë që në mbledhjen e fundit të qeverisë, se janë të dy jashtë — edhe Rama, edhe Balluku — është unike në botë që ministri, zv.kryeministri me fletëthirrje të SPAK dhe me kërkesën për të vajtur me avokat, shëtit nëpër Europë me tren e avionë për të “integruar Shqipërinë në Europë”, dhe për të lidhur kontrata shumë të dobishme për zhvillimin e Shqipërisë.
Karrikaturë më të madhe as është dëgjuar, as besoj se do dëgjohet.
Atëherë, nëqoftëse zoti Rama i ka kërkuar dorëheqjen mbledhjes së fundit kësaj ministre dhe zëvendëses së tij, atëherë ajo ka pranuar të japë dorëheqjen, atëherë pse nuk e ka shkarkuar?
E dyta, në momentin që zoti Rama merr vesh që zëvendësja e tij thirret nga një agjenci ligjzbatuese, për më tepër që i cilëson ardhjen e saj me avokat, sepse këtu është thembra e Akilit e gjithë kësaj, sepse ajo nuk shkon për të deklaruar çfarë di, por shkon për të deklaruar çfarë ka bërë.