‘SPAK godet peshqit, kursen peshkaqenin’/ Deda: A është Rama arkitekti i paprekshëm i korrupsionit?
Në analizën e tij fillestare mbi thirrjen e Belinda Ballukut në SPAK, analisti Reldar Deda shprehu një shqetësim të thellë për strategjinë e Prokurorisë së Posaçme, duke argumentuar se ajo po ndjek një model të përsëritur: goditjen e figurave të dorës së dytë pa prekur kurrë kreun e sistemit.
"SPAK godet gjithmonë në nivele të ulëta, asnjëherë nuk e hedh vështrimin lart," theksoi Deda.
I ftuar në KAFE SHQETO në SYRI TV, Deda e cilësoi Kryeministrin Edi Rama si "arkitektin" e një sistemi personalist, ku të gjithë ministrat dhe zyrtarët, përfshirë Ballukun, nuk janë gjë tjetër veçse "viktima të mekanizmit të këtij njeriu".
Duke bërë një paralele me romanin e famshëm të nobelistit Mario Vargas Llosa, "Festa e Cjapit", Deda përshkroi një realitet ku të gjitha institucionet dhe bashkëpunëtorët veprojnë nën diktatin dhe frikën e një lideri të vetëm. Sipas tij, detyra e vërtetë e SPAK-ut duhet të ishte hetimi i arkitektit të këtij sistemi korruptiv, dhe jo thjesht ndëshkimi i atyre që ai i përdor si pjesë të tij.
Deda: Tani, duhet kuptuar pak panorama më e përgjithshme. Unë, jam shumë i shqetësuar për të vetmen arsye, si mbi të gjitha si qytetar por edhe si gazetar, që po na përdorin atë rrotën e pinit romani kudo në dhe veçanërisht drejtësia e re, struktura e posaçme SPAK, prokuroria që godet gjithmonë në nivele të ulëta, asnjëherë nuk e hedh vështrimin lart. Dhe unë jam shumë i habitur si ka mundësi që bie ministër, bie ministër, bie ministër, bie kryetar bashkie, ikën një zëvendës kryeministër, arratiset, shkon, thirret në SPAK një zëvendës kryeministër tjetër dhe ngelet, ngelet i palëvizur, i pahetuar, aspak kryeministri i Republikës së Shqipërisë, që për hir të së vërtetës, ky sistem që ne kemi është personal i atij individi. Ka marrë imazhin, fytyrën, ambicien e atij individi. Dhe të gjithë këta njerëz nuk janë as më pak, as më shumë thjesht viktima të mekanizmit të këtij njeriu që ka ngritur prej 12 vitesh në shoqërinë shqiptare. Është pak a shumë ajo që e shpjegon shumë bukur nobelisti Vargas Llosa te ‘Festa e cjapit’, me presidentin e Republikës Dominikane, ku gjithë institucionet, gjithë njerëzit e afërt, ministrat, kabinetet, shefat e ushtrisë, gjithë ishin nën diktatin dhe frikën e atij individi, i cili arrinte deri aty sa të shkonte edhe në perversitet, në shkatërrimin e figurave të bashkëpunëtorëve të tij. Nuk është as më pak dhe as më shumë thjesht kjo panoramë që po ndodh realisht në Republikën e Shqipërisë dhe SPAK ka detyrën për të gjetur arkitektin e këtij sistemi, jo viktimat e sistemit.
SPAK-u është hetim, është strukturë hetimore. Drejtësia është një koncept më i gjatë, pastaj e vendos gjykata drejtësinë. Por, por për të, SPAK-u duhet të hetojë, duhet të hetojë realisht arkitektin e këtij sistemi. Unë nuk mendoj që Ben Ahmetaj, Belinda Balluku, Saimir Tahiri, Erjon Veliaj janë ata, Ilir Beqja e të tjerë e të tjerë, një grup i madh ministrash, janë arkitektët e këtij sistemi që është. Nuk mund të ndodhë. Domethënë, që t'ia lemë fajin individual. Përderisa janë zgjedhur, janë zgjedhur sipas shijeve dhe interesave që ka pasur ky individ për t'u ushtruar pushtetin ndonjëherë, jo ndonjëherë, por gjithmonë të rrëmbyer realisht qytetarëve, me anë të piramidës që ka ndërtuar ai prej 12 vitesh. Prandaj them që SPAK-u duhet të jetë më serioz të paktën për ta çuar shikimin drejt aty ku është arkitekti.