VIDEO/ Reshjet e dendura izolojnë fshatin Thirrë në Mirditë, dëmtohen rruga dhe disa ura
Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në njësinë administrative të Fanit, në Mirditë.
Nga pamjet e ardhura në redaksinë e SYRI-t, dallohet se si pasojë e prurjeve të shumta të lumit, rruga që lidh fshatin Thirrë me Rrugën e Kombit është shembur, duke vështërsuar lëvizjen e banorëve të zonës.
Raportohet gjithashtu për dëmtime në disa ura që lidhin fshatrat përreth, çka e ka bërë edhe më të vështirë qarkullimin dhe transportin e mallrave.
Grupet e emergjencave civile të Bashkisë Mirditë ndodhen aktualisht në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të përcaktuar mundësitë e ndërhyrjes së menjëhershme, me qëllim rindërtimin e kalueshmërisë dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet në zonat ku rreziku i rrëshqitjeve dhe prurjeve mbetet i lartë.