Kishin humbur në Llogora, gjenden dy turistët suedezë

Pas disa orë kërkimesh intensive, janë gjetur rreth orës 23:30 dy turistët suedezë, nënë dhe bir, të cilët ishin raportuar të humbur më herët gjatë ditës në Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan forcat e Emergjencave Civile, Agjencia e Zonave të Mbrojtura (ADZM) dhe Policia e Shtetit.

Dy turistët u lokalizuan në vendin e quajtur “Qafa e Thellë”, në një zonë të pyllëzuar dhe me terren të vështirë.

Fatmirësisht, të dy janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transportuar për kontroll mjekësor të mëtejshëm.