KF Besa, 100 vjet futboll/ Qosja: Një kohë qytetarie dhe vlerash të mëdha, së shpejti me stadium të ri
Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja ka uruar ekipin lojtarët e ‘Besa e Kavajës’, në 100-vjetorin e krijimit të ekipit.
Në ceremoninë e festimit të ditëlindjes së 100-të, Qosja tha se ekipi ‘Besa’, lindi si një dritë për qytetarët e Kavajës.
‘Ajo ishte më shumë se një ekip futbolli, ishte një ideal i cili në një farë mënyre themeloi një kohë qytetarie dhe vlerash të mëdha, të cilët gjyshërit tanë, të parët tanë na i kanë rrëfyer me emocion’, shprehet Qosja.
Kryetari i Bashkisë erdhi edhe me një premtim për qytetarët e Kavajës dhe ekipin, ku lajmëroi ndërtimin e një stadiumi të ri, që sipas Qosjas, së shpejti bëhet realitet.
‘Është premtimi ynë solemn për të vijuar ta shkruajmë këtë histori kaq të rëndësishme për qytetin tonë!’, theksoi Qosja.
Statusi
Gëzuar të gjithë Kavajës 100-vjetorin e ekipit tonë të zemrës “Besa e Kavajës”
Një shekull më parë, disa burra dhe të rinj kavajas, të apasionuar pas futbollit, ndezën një dritë që nuk është shuar më kurrë.
Ajo dritë u quajt “Besa e Kavajës”.
Besa lindi si një dritë për qytetarët e Kavajës. Ajo ishte më shumë se një ekip futbolli, ishte një ideal i cili në një farë mënyre themeloi një kohë qytetarie dhe vlerash të mëdha, të cilët gjyshërit tanë, të parët tanë na i kanë rrëfyer me emocion.
Një histori e pastër dashurie për qytetin dhe pasioni për futbollin që ka formësuar identitetin dhe kujtesën tonë të përbashkët. Prandaj le ta ruajmë më shumë këtë dritë, ta duam më shumë atë, ta trashëgojmë atë, e ta bëjmë të ndriçojë fort në majat e futbollit shqiptar, siç i ka hije.
Stadiumi i ri që së shpejti bëhet realitet, është premtimi ynë solemn për të vijuar ta shkruajmë këtë histori kaq të rëndësishme për qytetin tonë!
Mirënjohje përjetë për të gjithë futbollistët dhe legjendat e futbollit kavajas.
Përjetë me ty Besa jonë e dashur