‘Thethi, Boga, Razma në errësirë’/ Boçi: Papërgjegjësi epike e Becit, e perzier me urrejtjen e Ramës…
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka denoncuar një tjetër skandal që po ndodh në zonat turistike në Veri, ku prej 3 ditësh, Thethi, Boga, Razma dhe të tjera fshatra përreth, janë në errësirë të plotë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Në postimin e tij në Facebook, Boçi thekson se ende ‘pa filluar dimri, shteti është dorëzuar totalisht’.
‘Një papërgjeshmëri epike e Becit e OSHE-së, e përzier me urrejtjen e Ramës për Veriun dhe pse jo mos ta mendosh, e gërshetuar me një projekt diabolik për të rrënuar biznesin vendas e për t’i hapur rrugë Paketës (Vjedhjes) së Maleve, është shkaku i kësaj situate’, shkruan Boçi.
Postimi i plotë:
Skandaloze ajo po që ndodh në THETH, BOGË, RAZËM e përreth.
Prej tre ditësh “zemra” e turizmit natyror të Shqipërisë është në errësirë totale për shkak të mungesës së energjisë.
Pa filluar ende dimri, shteti është dorëzuar totalisht.
Bizneset rrezikojnë falimentim total, ndërsa banorët i afrohen cakut të jetesës mesjetare.
Një papërgjeshmëri epike e Becit e OSHE-së, e përzier me urrejtjen e Ramës për Veriun dhe pse jo mos ta mendosh, e gërshetuar me një projekt diabolik për të rrënuar biznesin vendas e për t’i hapur rrugë Paketës (Vjedhjes) së Maleve, është shkaku i kësaj situate.
Për një vend të cilin po e shtyjnë me shqelm të hyjë në Europë, kjo është e pa imagjinueshme.
Por normal, në shtetin e sheikut të Ballkanit, e pabesueshmja e keqe është normalitet.
Ky pra që flet me demek sy me sy, por që i verbuar nga arroganca e pushtetit personal, ka mbjellë vetëm errësirë!