Bellingham ‘hakmerret’ ndaj Lamine Yamal-it në rrjetet sociale: Të flasësh është falas!
Pas sukesit 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në ‘El Clásico’, mes tensionit të krijuar nga deklaratat e Lamine Yamal-it se “Madrid vjedh”, Jude Bellingham u shfaq me një reagim të qartë në rrjetet sociale.
Mesfushori anglez festoi triumfin duke postuar disa foto nga ndeshja, ku ai shkëlqeu duke i dhënë asist Mbappé-së për golin e parë dhe duke shënuar vetë golin e dytë që vulosi fitoren. Në mesazhin e tij, Bellingham iu drejtua drejtpërdrejt Yamal-it: “Talk is cheap” – ose në shqip, “Të flasësh është falas”. Ai përfundoi postimin me një mesazh për tifozët madrilenë: “Hala Madrid, gjithmonë”.
Gjatë ndeshjes, reagimi i lojtarëve të Real Madridit ishte i dukshëm në fushë, veçanërisht kur Carvajal dhe Vinicius i treguan me duar Yamal-it se po fliste shumë. Momenti përfundoi me një përplasje në fund të ndeshjes, duke shtuar tensionin e një takimi gjithmonë të nxehtë mes dy klubeve më të mëdha spanjolle.
Mesazhi i Bellingham tregon se madrilenët morën deklaratat provokuese të lojtarit të Barcelonës si motiv për të dhënë maksimumin dhe për të fituar një ‘El Clásico’ shumë të rëndësishëm.